Shkrimtari dhe poeti Eqrem Basha sot feston 75 vjetorin e lindjes

15 Nëntor, 2023 - 9:34 am

facebook sharing button

Eqrem Basha, poet, prozator, skenarist e akademik, u lind më 15 nëntor 1948 në Dibër, Maqedoni, ku kreu shkollën fillore dhe të mesmen.

Në vitet 1967-1971 studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Gjatë studimeve botoi tregime, vjersha dhe kritikë për film e televizion. Më 1972 punon në gazetën Rilindja, në të cilën shkruan për artet figurative. Nga janari i vitit 1974 deri më 5 korrik 1990 (kur u përjashtua me dhunë) punoi në TV Prishtina, në fillim redaktor i redaksisë së dramës, kurse në fund redaktor përgjegjës i Programit Kulturo- Artistik. Gjatë kësaj periudhe (në vitin 1992 në Arl dhe në vitin 1994 në Paris) disa herë qëndron në Francë me punë në projekte përkthimesh të dramaturgjisë frënge, kurse pas kthimit kryen punën- redaktor i kulturës në revistën javore Koha.

Në vitin 1994, bashkë me Gani Bobin, Rexhep Ismajlin dhe Shkëlzen Maliqin, themelon shtëpinë botuese Dukagjini të Pejës, ku edhe sot është redaktor përgjegjës. Ka marrë pjesë në shumë takime letrare dhe në festivale ndërkombëtare të poezisë (Paris, Bruksel, Amsterdam, Varshavë, Lion, Die, Grënobël, Leuven, Lodeve, Seyni, Bukuresht, Konstancë, Vjenë, Grac, Gjenevë, Stavanger, Barcelonë, etj.), në festivale filmi e televizioni, në tryeza dhe debate ndërkombëtare.

Basha shkruan tregime, romane, vjersha, skenarë për film e TV, radiodrama dhe kritikë për artin figurativ. Përkthen nga frëngjishtja, italishtja dhe nga gjuhët sllave.

Eqrem Basha është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ku u zgjodh në vitin 2004. / KultPlus.com

Të ngjajshme