Shkrimtarja Blerina Pëllumbi fiton çmimin si “Finalist Autor i vitit 2025” në SHBA

18 Qershor, 2025 - 11:59 pm

“Lotët e një gruaje” titullohet libri i shkrimtares Blerina Pëllumbi, me të cilin ka fituar çmimin si “Finalist Autor i vitit 2025”, në konkursin më të madh botëror të librit që u zhvillua nga “Impakt Book Awards” në SHBA.

Ky çmim do t’i dorëzohet Pëllumbit më 4 tetor të këtij viti në një mbrëmje gala, e cila do të mbahet në Hollywood nga drejtuesja e “Impakt Book Awards”, Nim Stant.

Ky është  libri i parë i Blerina Pëllumbit dhe është i bazuar në historinë e vërtetë të një gruaje shqiptare.

Kjo vepër gjeti një audiencë të gjerë dhe është përkthyer në dy gjuhë, frëngjisht dhe anglisht duke hyrë në konkursin e letërsisë botërore përmes platformës së fuqishme Amazon.com. Kjo arritje e autores bën krenar çdo shqiptar, sepse Blerina Pëllumbi tashmë do jetë gruaja e parë shqiptare që hyn në historinë hollivudiane me një libër.

Një roman i mbushur plot me dhimbje e lot, por që kur fillon e lexon nuk mundesh të  largohesh pa e mbaruar librin. Kjo e fundit është shprehur edhe nga qindra lexues në SHBA, ku libri ka marrë vlerësim “On Top me 5 yje” në Amazon.

Përveç librit “Lotët e një gruaje”, përkthyer në anglisht, frëngjisht dhe shqip Pëllumbi ka  botuar edhe pesë libra të tjerë që shfaqin zhanre dhe tema të ndryshme:

“Kristale të thyera” një përmbledhje me poezi që përshkruan në mënyrë të përsosur qëndrueshmërinë dhe ndjeshmërinë njerëzore.

“Përdhunimi i shpirtit” një roman tronditës i bazuar në histori të vërteta, që trajton plagët e thella të shpirtit.

“Njerëz që ngjasojnë me diellin” një tjetër roman që sjell histori të vërteta dhe frymëzime jetësore.

“Psikologji dhe ndjenjë” një përmbledhje prozash që ndërthur elementet e psikologjisë me emocionet njerëzore.

“Sa peshon një zemër”, një novelë, një histori e vërtetë e ndodhur në të vërtetë.

Krijimtaria e Blerina Pëllumbit dallohet për ndjeshmërinë dhe aftësinë e saj për të prekur thellë zemrat e lexuesve. Ajo shkruan në një stil të veçantë dhe të qartë, duke sjellë histori të jetës reale që ngjasojnë me përvojat e shumë njerëzve./ KultPlus.com

Të ngjajshme