Shkrimtarja Irma Kurti boton në Prishtinë romanin “Ditët e fundit të një qyteti”

9 Shtator, 2022 - 10:10 pm

Pas botimeve të librave të saj në Kanada, Kamerun dhe Filipine, autorja Irma Kurti sjell për lexuesin shqiptar romanin e saj më të ri të titulluar “Ditët e fundit të një qyteti” nën logon e shtëpisë Botuese “Lena Graphic” në Prishtinë. Ky libër u botua së fundi edhe në gjuhën angleze me titullin “The last days of a city”.

Romani, i shkruar gjatë periudhës së mbylljes nga pandemia u vlerësua si fitues në Konkursin “Letteratura” të shpallur nga Instituti Italian i Kulturës në Napoli, në seksionin e romanit të pabotuar. Redaktor i librit është Sejdin Cekani dhe imazhi i kopertinës nga Biagio Fortini.

Irma Kurti sjell gjithashtu edhe një botim tjetër që mban emrin e babait të saj, mjekut Hasan Kurti. Siç shprehet ajo në parathënien e librit “Prozat poetike dhe aforizmat janë marrë nga ditari i babait tim dhe nga libri ‘Kujtimet e një mjeku’. Në vitin 2022 ato u botuan në gjuhën angleze nga shtëpia botuese “Poetry Planet Book” dhe kopje të tij ndodhen në Bibliotekën Kombëtare në Filipine. Në këto shënime zbulohet dëshmia e tim eti, vullneti e këmbëngulja, kuraja për të jetuar jetën dhe për të buzëqeshur, deri në çastin e fundit të ekzistencës së tij, me gjithë vështirësitë e panumërta.”

Në vitin 2021 “I ricordi di un medico”(Kujtimet e një mjeku) u përzgjodh nga 600 veprat që konkuruan në Konkursin Kombëtar Letrar “Tre colori” në Lenola (Latina) dhe u shpall si një nga 200 librat më të bukur në Itali. Në 2022, ai fitoi çmimin e tretë në Edicionin e XXI – të të Konkursit letrar “La lanterna bianca” në Messina të Sicilisë. Kjo vepër u nderua sërish me vendin e tretë në Konkursin Ndërkombëtar Universum, 2022, të organizuar nga Akademia Universum në Zvicër./diasporashqiptare/ KultPlus.com

Të ngjajshme