Shoqata për kulturë dhe art ‘Tradita’, organizoi manifestimin letrar ‘Lirika e vjeshtës’

9 Tetor, 2018 - 8:10 pm

Me leximin e poezisë “Perëndim vjeshte” të patriarkut të letrave shqipe, Dritëro Agollit, filloi manifestimi letrar “Lirika e vjeshtës”, i organizuar nga Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” nga Tetova.

Në këtë takim letrar –artistik, u tha se poezia dhe lexuesi kanë nevojë të takohen disa herë, për t’u njohur mes tyre. Në çdo takim publiku ndjen diçka më shumë për të, mëson diçka të re për poezinë dhe rolin e saj. Manifestimin letrar “Lirika e vjeshtës” e shpalli të hapur Selam Sulejmani – kryetar i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, i cili tha se, ne të gjithë së bashku takohemi në një veprimtari letrare, ku fjalën kryesore e ka poezia, poezia lirike, gjinia më përfaqësuese në letërsisë shqipe.

“Në të gjitha përcaktimet që i janë bërë poezisë lirike, që nga autorët e parë, Aristoteli e deri në studimet e sotme, bosht i këtij lloji cilësohet ndjeshmëria e lartë – si tipari kryesor e i patjetërsueshëm i poezisë lirike. Sikurse thotë edhe Kristo Floqi, “përgjithësisht poezi lirike quhet ajo që shpreh ndjenja individuale, ndjenja subjektive të çfarëdo kategorie, gëzimi, apo hidhërimi etj. Me qenë se këto ndjenja lidhen edhe me përfytyrimet elementare shpirtërore, prandaj në këtë zhanër poezie, thelbi është kurdoherë: ndjenja shpirtërore”.

Lirika si gjini e mirëfilltë letrare i ka hapur dyert letërsisë autoriale shqipe. Autorët e saj të parë lëvruan poezinë lirike e cila vinte nga një traditë gojore shekullore dhe shërbeu si gur themeli në letërsinë shqipe. Mjafton të përmendim fillesat e dokumentimit të saj të hershëm me Mesharin e Buzukut (1555), vjershat e Budit e Bogdanit ku spikati lirizmi”, theksoi Selam Sulejmani. Ai po ashtu shtoi se kudo letërsitë kombëtare në stadet e tyre të para janë shfaqur me krijime poetike, me shprehjen e përjetimeve e ndjesive shpirtërore.

“Në rrugën e vështirë prej disa dekadash të themelimit e të konturimit të letërsisë kombëtare shqiptare poetët luajnë rolin kryesor. Në krijimet e tyre përfaqësuese do të mbizotërojë fryma lirike. Autorët e Rilindjes si, De Rada, Dara, Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Fishta, Çajupi, Asdreni paraqiten me krijime me frymë lirike. Kështu, poezia e Rilindjes përmes pasrilindësve fillon të transformohet te poetët e parë modernë, në një pjesë të poezisë së Asdrenit, përmes poezisë së Lasgush Poradecit, si dhe përmes poezisë së Migjenit, ku pëson një transformim esencial me kuptimin e ri të qenies shoqërore, e jo vetëm kombëtare, të vështruar përmes subjektivitetit poetik e që me këtë dhe me revoltën për shkatërrim krijon idenë e barazisë sociale. Poezia lirike dëshmohet si gjinia që i ka prirë Shoqata për kulturë dhe art ‘Tradita’ lindjes së letërsisë së kultivuar shqipe dhe si mbizotëruese në periudha të ndryshme të saj’’, theksoi kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”.

Manifestimin letrar e përshëndetën edhe kryetari i Këshillit komunal i Komunës së Tetovës, Bekim Memeti dhe profesor Arben Sulejmani – Kryetar i komunitetit bektashian i Teqesë Harabati Baba në Tetovë. Ata e vlerësuan lart organizimin e manifestimit, kontributin për zhvillimin e kulturës shqiptare, bashkëpunimin mes krijuesve për ta mbajtur gjallë fjalën poetike dhe frymën e saj. Pas ceremonisë së hapjes solemne, u mbajt edhe ora letrare në të cilën, një numër i konsiderueshëm poetësh, si: Ejup Ajdini, Bujar Plloshati, Zejnepe Alili –Rexhepi, Shaip Emërllahu Daim Iljazi, Xhelal Zejneli, Muhabije Fejzuli, Rami Kamberi, Adem Abdullahu, Berzat Sadiku, Selajdin Qazimi, Nazife Qazimi, Eroll Velija, Nadi Arifi, etj, para auditorit lexuan pjesë poezish të zgjedhura nga krijimtaria e tyre dhe të autorëve të njohur shqiptarë e të huaj.

Në kuadër të “Lirikës së vjeshtës” u realizua edhe programi artistik, në të cilin performuan maestro Shkelzen Pajaziti me violinë, studentja e Fakultetit të Arteve të UT-së Teuta Emini me flaut dhe profesori Nuhi Musa me mandolinë, ndërkaq fotografitë i realizoi Dritan Abdiji.

Ky manifestim letrar – artistik u organizua me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës të Republikës së Maqedonisë dhe i njëjti u mbajt në Teqenë Harabati Baba në Tetovë. /KultPlus.com

Të ngjajshme