Shoqëria kosovare e pambrojtur nga lajmet e rreme

29 Gusht, 2018 - 10:30 am

Edukimi medial del të jetë një lëndë e domosdoshme në shkolla.

Në tryezën e mbajtur të martën, e titulluar “Edukimi medial”, në kuadër të edicionit të sivjetmë të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, studiuesit e kësaj fushe kanë paraqitur të dhënat e shqetësimet e tyre, shkruan sot “Koha Ditore”.

Profesoresha në Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë, Lendita Tahiri, ka thënë se duke u bazuar në Deklaratën universale të të drejtave të njeriut, secili ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes. Nga ky prizëm ajo ka thënë se pikërisht edukimi medial ia plotëson këtë të drejtë individit në ditët e sotme. Sipas saj, Departamenti i Gazetarisë gjithmonë ka qenë i interesuar që kjo lëndë të hyjë nëpër shkolla, që t’ia mundësojë shoqërisë që të dallojë gënjeshtrën nga e vërteta. Ka thënë se është obligim i shoqërisë që ta përgatisë individin me këtë shkathtësi.

Abit Hoxha, që është hulumtues në Institutin për Shkencat e Komunikimit dhe Hulumtimit Mediatik, në kuadër të universitetit “Ludwig Maximilian” në Münich të Gjermanisë, ka thënë se në vendet ku ka pasur konflikte thuhet se do të ndërtohen media të forta e të pavarura. Sipas tij, shumë rrallë flitet për edukimin medial të audiencës. Ka thënë se misionet ndërkombëtare kanë ardhur në Kosovë duke prodhuar shumë lajme, të cilat gazetarët vetëm i kanë kopjuar dhe i kanë plasuar në publik.

“Fatkeqësisht në Kosovë nuk ka matje të audiencës e matje për besim në lajme”, ka thënë ai.

Muhamet Jahiri, i cili është asistent në Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë, ka thënë se shoqëria është viktima kryesore e lajmeve të rreme.

Në kuadër të edicionit të 37-të të Seminarit, të martën është mbajtur edhe ligjërata “Musine Kokalari: Vetëdija e shkrimit dhe e qëndresës”./ KultPlus.com

Të ngjajshme