Shqipëria në veprën e autorit të njohur austriak, Robert Menasse: ‘Zgjerimi’ dhe BE-ja, nuk ka demokraci ideale

7 Tetor, 2023 - 5:24 pm

Shqipëria është në qendër të veprës më të fundit të autorit të njohur austriak, Robert Menasse. Shkrimtari ishte në Tiranë për të prezantuar librin e tij të fundit “Zgjerimi” në proces përkthimi në shqip. Vepra, një roman satirik për bashkimin Europian, merret me politikën dhe kontradiktat e unionit, por edhe me Shqipërinë, ku zhvillohen kryesisht ngjarjet, në rrugën e saj drejt BE-së.

ROBERT MENASSE:
“Para tre vitesh kur isha këtu, dy librat e parë që kam blerë ishin, një libër për Skëndërbeun dhe Kanuni. Kjo kishte pasoja siç mund ta shihni dhe ja ku jam prapë këtu. Te vepra ime, doja të vija përballë një vend që është pjesë e BE-së prej kohësh e një që pret të jetë pjesë e tij, si Shqipëria. Roli i Europës si mësuese, që kërkon të bëhen detyrat e shtëpisë e bën atë ndonjëherë më pak të preferuar”, tha shkrimtari.

Romani ndjek një udhëtim me të gjithë aktorët kryesorë të BE-së, ndërthur ngjarje reale dhe imagjinare, referenca historike dhe aktuale, humor të huazuar nga natyra hokatare e autorit dhe seriozitet për të krijuar një përvojë leximi argëtuese dhe provokuese, veçanërisht për lexuesit shqiptarë.

ROBERT MENASSE:
Ballkani dhe Shqipëria nuk janë më periferi por zemër e Europës dhe çdo njeri ka të drejtën të gëzojë e të jetojë si europian. Asnjë vend anëtar i BE-së nuk është parajsë dhe as nuk ekziston demokracia ideale. Pse janë rumunët në BE e jo shqiptarët? E gjithë kjo mua më intereson. Ndërsa për personazhet e mi, nëse njeriu në një roman fiksional ka ndjesi se po jeton realitetin, atëherë është një roman shumë i mirë. Figurat e personazheve janë individuale por edhe të tipizojnë disa karaktere”.

Menasse ishte i ftuar në kuadër të “Tetorit gjerman” në një bisedë me botuesen e tij, Arlinda Dudaj./balkanweb/KultPlus.com

Të ngjajshme