“Shqiponjat e Mëndafshta” themelojnë shkollën e gjuhës shqipe në Bari

6 Shtator, 2021 - 11:00 pm

Shoqata shqiptare në Bari të Italisë “Shqiponjat e Mëndafshta” ka arritur të realizojë një nga projektet kryesore të saj, atë të themelimit të shkollës së gjuhës shqipe.

“Shoqata jonë rritet falë objektivave që kemi vendosur që në fillim. Bëhet realitet një nga projektet tona më të rëndësishme, themelimi i shkollës së gjuhës shqipe në Bari. Prej muajsh kemi filluar përgatitjet, duke nisur nga seleksionimi i mësueseve për të vazhduar me prezantimin dhe njohjen me realitete të ngjashme nëpër vende të ndryshme në Italia, deri tek prezantimi me përfaqësues istitucional të vëndit tonë. Urojmë të japim maksimumin dhe të mos humbasim besimin, edhe pse vështirësitë për t’u përballuar nuk do jenë të pakta.

Falenderojmë motrat Nilsa dhe Viola Magjistari për lokandinën”, shkruhet në faqen zyrtare në Facebook të shoqatës Le Aquile di Seta.

Kjo shoqatë u krijua në vitin 2020 dhe synon të mbrojë dhe përmirësojë historinë dhe të kaluarën e Diasporës Shqiptare në Itali, duke parë të ardhmen e komunitetit. Të vetëdijshme se ka shumë shoqata të tjera me të cilat shpresojnë për një bashkëpunim në të ardhmen.

Gratë shqiptare të Barit duan të jenë një risi me një frymë bashkëpunimi, duke mësuar nga gabimet e së kaluarës dhe duke u përpjekur të ndërtojnë një rrjet më të mirë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme