Shtëpia pa pyll

17 Mars, 2021 - 5:51 pm

Nga Ibrahim Berisha

Regi shkonte zakonisht tri a katër herë në vit në shtëpinë te pylli, për të kaluar pushimet, të shumtën vetë, pasi fëmijët punonin. Obligimet që duhej t’i ndiqnin ishin arsyetimet e tyre të përhershme, por nuk ia mbushnin mendjen e tij të urtë.

Gruaja, Rigona, përsëriste arsyetimin tjetër, se donte zhurmën, qytetin, për të mos thënë, e urrente heshtjen e  pyllit. Pa pasur shumë arsye, nuk e fshihte ankesën: Më shtrëngon në gjoks dhe më ndalet fryma sa e mendoj atë udhëtimi trishtues. Pritonte ta prishë kënaqësinë që ia jepte rehatia e banesës në qendër të Prishtinës.

Me hidhërim shprehej: Në atë braktisje të jetoj disa ditë, e pamundur.

Ankesa e Regit sado që i lodhte fëmijët dhe gruan, nuk i luhaste: Po me kë të flasë unë atje. Krejt vetëm!  Më  dhembin eshtrat, vetëm kur dalë dhe endem nëpër rrugica me gjethe anash dhe kërkoj gjërat që i kam dashur aq shumë kur isha fëmijë, ndjehem i lehtësuar. Plot energji.

Me sytë e zërin e trazuar mbyllte bisedën Rigona: Nuk më vihet, shkurt.

Ai kishte dëshirë të fliste edhe kur nuk e dëgjonin. Monologu ia forconte dëshirën për të shkuar sa më parë, pa menduar, nëse do të miratohej vendimi i tij.

Dëgjojmë tregimin e përsëritur. Janë fjalët të njëjta me vite, ankohej djali i dytë, Ardi.

Zakonisht, fundi i nëntorit nuk duhej të kalonte pa javën e pushimit në shtëpinë e pyllit. Regi bënte gati gjërat me kujdesin e durueshëm, i radhiste në qese dhe në kënd dhome, i maste me shikim, nëse vetura e tij e vogël Ford fiesta do t’i zinte të gjitha.

Thoshte: Do të rri dy javë.

Por, ja, që, fundi i nëntorit afrohej, e Regi nuk shprehej për pushimin e zakonshëm.

Kur do të shkosh, e pyeti kureshtar babanë, Mani, djali i madh.

Nuk do të shkoj, tha ai. Unë do të jem këtu.

Janë festat e nëntorit, vazhdoi i habitur Mani. Nuk po e dëgjoj fjalinë e përsëritur: Unë po shkoj, ju si të doni.  Nuk po shkon. Pse?

S’ ke pse shkon më, foli shkurt.

Është e mundur të mos shkosh, e pyeti ajo.

Po. Nuk do të shkoj.

Vij me ty, i tha gruaja. Dua të ikë nga zhurma. Jam e mërzitur, e sheh këtë tmerr në Prishtinë sa hap dritaren, sa dal në rrugë, kudo. Do të shkojmë, një javë në atë natyrë të pastër, mes drurëve. Ka ende arra, mollë, fshehur në barishtet e thara.

Regi foli me përmallim: Do ta shkatërrojnë pyllin. Ndërtojnë depo për mbeturinat e rrezikshme aty afër.

Depo të mbeturinave! Po më trondit, tha gruaja, e cila sa nuk e përplasi kryet për muri. Pyeti trishtuar: Si?

Po shkatërrojnë gjithçka!

Sa do të na mungojë shtëpia në pyll, tha e trishtuar ajo.

Shtëpia, sa hyje, të jepte joshjen e gjatë. Ajo ndjenjë mund të vinte nga qetësia, e cila rrallë, shumë rrallë prishej nga erërat që lëkundnin drunjtë përreth. Nuk kishte afër njeri ta thyente vetminë dhe qetësinë e shtëpisë së vjetër. Ajo ishte si një trung i njomë në mes të oborrit.

Gjëja e fundit që do të dëshironim, tha gruaja.

Më në fund, kanë ardhur edhe atje njerëzit, u shpreh Rigi./ KultPlus.com

Të ngjajshme