Si e kapi shpirtin e kohës romani erotik All Fours

10 Korrik, 2025 - 3:35 pm

“Ndryshim jete” për disa, e “urrejtshme” për të tjerët, romani erotik All Fours i Miranda July, që trajton përvojën femërore në mes të jetës, është bërë një fenomen dhe ka dominuar diskutimet kulturore.

Çdo vit sjell me vete libra që bëjnë bujë: ato që kryesojnë listat “për t’u lexuar”, që përhapen rrallë pa u parë në rrjete sociale, dhe që përmenden në pafund lista të librave më të mirë. Por rrallë ndodh që një roman jo vetëm të kapërcejë botën letrare për të pushtuar diskutimin më të gjerë kulturor, por edhe të vazhdojë të bëjë jehonë një vit pas botimit.

Ky është rasti i All Fours të Miranda July, një libër i çuditshëm, erotik dhe befasues për një grua që e kthen përmbys jetën e saj në të dyzetat e mesme. Që në pranverën e kaluar, kur u botua, ai u kthye shpejt në një sensacion që u përhap nga goja në gojë, dhe zhurma vetëm sa është shtuar. July ka qenë në kopertina fundjave dhe ka dhënë intervista në programe të rëndësishme televizive. Revista TIME e përfshiu atë në listën e 100 njerëzve më me ndikim të vitit 2025. Ndërkohë, libri është përzgjedhur për një serial televiziv dhe është nominuar për disa çmime, përfshirë National Book Awards dhe Women’s Prize for Fiction.

Megjithatë, ndoshta ndikimi më i madh i romanit ka qenë bisedat që ka nxitur. Gratë, veçanërisht, ia kanë dhënë me pasion librin motrave, mikeshave, nënave, madje edhe të panjohurave, duke i nxitur ta lexojnë. Shumë e kanë quajtur “libër që ta ndryshon jetën”. Disa e kanë urryer. Por askush nuk e lexon pa pasur diçka për të thënë.

Në roman, rrëfimtarja e pa emëruar, një artiste 45-vjeçare, gjysmë e famshme (ashtu si vetë Miranda July), nënë dhe e martuar, nis një udhëtim me makinë nga Los Anxhelosi drejt Nju Jorkut, si një dhuratë për veten pasi një kompani uiski i paguan 20,000 dollarë për të përdorur një frazë të saj në një reklamë. Ajo shpreson që ky udhëtim ta shndërrojë në “atë lloj gruaje të qetë dhe të ekuilibruar që gjithmonë kisha dashur të isha”. Por ajo nuk arrin kurrë në Manhattan. Madje, mezi del nga Los Anxhelosi, duke ndaluar për karburant në një qytet të quajtur Monrovia. Atje, një takim me një djalë më të ri, Davey, e shtyn që të rezervojë një dhomë në një motel për një natë, ku përfundon duke qëndruar për tri javë rresht (dhe shpenzon gjithë shumën që fitoi duke e transformuar dhomën në stilin e një hoteli parizian).

Udhëtimi i saj fizik zëvendësohet nga një udhëtim emocional. Një dëshirë e fuqishme për Davey-n nxit jo vetëm një rizgjim seksual, por edhe një rishikim të plotë të jetës së saj në mesin e rrugëtimit. Në shtëpi, mjeku i saj i thotë se ndodhet në periudhën e perimenopauzës, faza tranzitore para menopauzës, ku ndryshimet hormonale mund të sjellin një sërë simptomash fizike dhe emocionale. Kur mëson se, sipas biologjisë, dëshira e saj seksuale është gati “të bjerë nga një shkëmb”, ajo vendos t’i ndjekë me forcë dëshirat e saj, duke kuptuar se duhet të zgjedhë mes “një jete me mall për më shumë” ose “një jete që është vazhdimisht befasuese”.

Përveç dëshirës, rrëfimtarja dhe vetë libri, trajton tema si plakja, ambicia, krijimtaria, vdekshmëria, nëna dhe martesa, duke vënë në pikëpyetje rrugën e zakonshme që pritet të ndjekin gratë në gjysmën e dytë të jetës së tyre. Nëse duket si temë serioze, e tillë është, por është edhe plot humor.

Me publikimin e saj, All Fours mori kryesisht vlerësime entuziaste. The New York Times e quajti atë “romani i parë i madh për perimenopauzën”. New York Magazine e përshkroi si “një histori jashtëzakonisht e zjarrtë për ndjekjen e lirisë seksuale dhe krijuese”. Ndërkohë, The Washington Post në recensionin mbi libtin u tregua profetik, duke shkruar: “diçka tek All Fours – seksualiteti i guximshëm që bart, humori i çuditshëm, kërkimi i sinqertë për ndryshim, mund të ngjallë, kush e di, një brez të tërë grash.”

Sa i përket motivimit të saj për të shkruar këtë libër, Miranda July foli për mungesën e artit që i kushtohet kësaj faze të jetës. 

“Nëse burrat do të kalonin një ndryshim kaq të madh, do të konsiderohej monumental! Do të kishte rite, festa, të drejta dhe madje edhe fe”, tha ajo për The Guardian.

All Fours ka qenë një sukses i padiskutueshëm. Në faqen Substack të Miranda July, është krijuar një komunitet grash që jo vetëm shprehin dashurinë për librin, por tregojnë se si ai u ka ndryshuar jetën. Ato flasin për ndjesinë se janë parë, kuptuar dhe çliruar pas leximit; se libri i ka bërë të ndihen më pak të vetmuara, më pak të çmendura, më të guximshme. Për disa, ai ka qenë shtysa për të mbyllur marrëdhënie, për të lënë punë apo për t’u përballur me njerëz të afërt.

Grupet janë shpërbërë në nën-grupe që kanë organizuar takime në jetën reale. Në Paris, Los Anxhelos, Londër, Teksas, Seattle dhe më shumë, gra janë mbledhur për të zhvilluar biseda të frymëzuara nga libri./ KultPlus.com

Të ngjajshme