‘Koha matet kur fanellave që janë lënë përtoke, nis me ju ardh era rritë’

17 Qershor, 2021 - 5:27 pm

Shkruan: Rrezearta Reka

Koha matet me tesha. Kur fëmijës më nuk i bjen këmisha e bardhë me vija të kaltra, që ja pata ble verën e kalume. Kur pigjamet e poshtme përnjëherë i ka më të shkurtra, e ja zbulojnë goxha zogun e këmbës, që ju kish nxi dje në lojën e futbollit. Kur ja lan arushet me pelush, e më nuk i kthen te dritarja e dhomës po i përshëndet për herë të fundit, para se me i fut në thes të zi, për me i fal.

Koha matet me vendin tashmë të ngushtum në dollapin e këpucëve, kur përnjëherë raftet mbushen me 38-she. Matet me korniza fotografish, që nuk mbajnë më buzëqeshje pa dhëmbë, po selfie me buzë pate. Matet edhe me mal kutish me qoshe të ndrydhme, përplot tesha bebesh, cuclla të vjetra, e rake-taket e para, që thjesht s’ki zemër me i humb: me shishet e vjetra të tomlit, i mat langjet kur gatun. Koha matet kur fanellave që janë lënë përtoke nis me ju ardh era rritë.

Matet me faqe revistash të ngjitme brenda dyerve të dollapave, me perde me gjirafa rozë që falen, e të tjera të zeza që errësojnë dhomën, bashkë me tingujt solemn të pikëllimit veror të Lana Del Rey. Koha matet me rap të pistë, përtej dyerve të banjos, në dush 1 orësh, pavarësisht kush dhe sa pret në rradhë.

Matet përmes harresës së vend-ndodhjes së karrocave dhe hophopeve të blera dikur. Koha matet edhe me ironi vitrinash: kur ti i kqyr një palë pantollona të bardha, porsi naiviteti fëminor, e fëmija të shtyn te ato tjerat me bel të shkurtë, që e mbulojnë veç një të tretën e trupit, se ato që i kqyrshe ti, paskan qenë për fëmijë, thot. Matet me herët që i thirr fëmijët në telefon, e ata nuk lajmërohen, dhe me make-up që zhduket pahetueshëm.

Matet me foto pasaportash të skadum e të rujtun në sirtarë. Koha matet me Friends Reunion, kur ti qan fort për një 15 vjeçare të imtë, të ulun në një fotele gjigande, që para 25 viteve e ka pa epizodin e parë të Friends, në një një dhomë dite, në Lawrenceville, Georgia. Matet me dhoma të ditës, një ekran, një mace që flen e patrazume në kauç, dhe dy prind që kqyrin televizor, njëjtë të patrazum.

Matet me tinguj të gabum në piano, se si kujtesa, ashtu edhe gishtat nuk sinkronizohen më me dëshirën.

Koha matet me qetësi në hapësira fizike, me dysheme të zbrazët nga lodrat, me dhëmbë të drejtum, me naj puçër në fytyrë. Koha zatën është gramatikë, ku foljet ka qenë, ishte, ishim, janë me gjasë rrjedhjet më të fuqishme që s’dalin dot pa marrë një herë frymë thellë e mirë. / KultPlus.com

Të ngjajshme