Sikur baba…

12 Maj, 2019 - 10:37 pm

Sikur baba të ishte vrarë vetëm dy muaj më parë… do të na kishin liruar… dhe motra ime Bardha do të jetonte. Por tim atë e vranë vetëm 6 ditë pas vdekjes së Bardhës. Dhe mua më liruan. Inatin e kam pasë vetëm me babën. Babën s’e kam njohur kurrë, ndërsa Bardha e vogël 4 vjeçe, flokverdhë e sykaltër, si një engjëllushe, dha shpirt në prehërin tim. Po të mos vdiste Bardha nuk do ta merrja inat tim atë. Por ai la ta vrisnin vetëm pasi Bardha kishte vdekur! Nuk ndreqej më asgjë. Të paktën të ngutej ta vrisnin më shpejt, para se Bardha të sëmurej. Do të na lironin dhe motra do të kishte shpëtuar. A e dinte baba, që Bardha lëngonte gjithë atij muaji? Nuk e di. Di vetëm që, për shkak të tij, na mbanin peng në atë kamp vdekjeje. Bardha nuk e njihte babën. As unë. Pas vdekjes së mamit, aty, ajo më kishte vetëm mua: dhe nënë, dhe babë, dhe vëlla. Isha vetëm vetëm 9 vjeç . Nëntë. Paraditen e asaj dite isha nëntë… kur u zvarris gjer te unë dhe më tha me një zë të mekët: “Vlau, bëje prehërin… Tani do vë kokën aty dhe do vdes”. “Joo! Ti do flesh”, i thashë. Ajo u mblodh kruspull, e zhyti kokën në prehërin tim dhe ra në gjumë të thellë. Dhe nuk u zgjua më…

Ky është një tregim i postuar nga shkrimtari Agron Tufa, i cili ka bërë të ditur se ka mbi 100 rrëfime të gjalla të mbijeturave nga periudha e komunizmit në Shqipëri./KultPlus.com

Të ngjajshme