Skënder Buçpapaj merr Çmimin Jubilar të Mitingut të 55 të Poezisë në Gjakovë

12 Maj, 2019 - 11:14 am

Më 6 deri 10 maj 2019 në qytetin e Gjakovës u mbajt me sukses të plotë Mitingu i 55 i Poezisë, i organizuar nga Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” i këtij qyteti. Mitingu i Poezisë i Gjakovës mbahet pa ndërprerje që nga viti 1964 dhe është manifestimi më i rëndësishëm i poezisë shqipe dhe ndër më të rëndësishmit në Ballkan.

Gjatë kësaj veprimtarie bëhen promovime librash të rinj, takime të poetëve me lexuesit, debate estetike, recitime të krijimtarisë së zgjedhur poetike nga aktorë të fjalës poetike, ndërsa në tribunën qendrore që përbën edhe pjesën kulmore të veprimtarisë krijimet e tyre i lexojnë para auditorit vetë poetët.

Mitingu i 55 i Poezisë u ndoq me interesim dhe pjesëmarrje të madhe nga krijuesit e Gjakovës, të qyteteve të tjera të Kosovë, nga Plava, Gucia, Presheva, Tropoja, diaspora. Veprimtaria u mbështet edhe nga Klubi i Letrarëve dhe Artistëve të Tropojës me kryetar poetin e njohur Lulzim Logu, shoqata dhe klube të tjera letrare e artistike, nga Universiteti “Fehmi Agani” i Gjakovës, e tjerë. Çmimet që u ndanë kësaj here, vijnë prej jurisë tepër profesionale. Çmimi për përmbledhjen më të mirë poetike ndërmjet dy mitingjeve iu nda poetit ndër më të shquarit krijues bashkëkohor Xhevdet Bajraj.

Çmimi poezia më e mirë në Oren Qendrore të Poezisë iu nda krijuese dhe botueses Flutura Açka.

Çmimi jubilar, që është edhe çmimi kryesor i mitingjeve jubilare, iu nda poetit dhe publicistit të shquar Skënder Buçpapaj.

Çmimi “Nenë Tereza”, që u ndahet poeteve ndërkombëtar, pjesëmarrës në Miting, këtë vit e fitoi Ricardo Rubio, nga Argjentina, Maria Barro, nga Portugalia, kurse mirënjohja “Nënë Tereza” iu nda Laura Garavaglia nga Italia, që kanë peshë dhe ndikim tek krijuesit e jashtëm.

Njëkohësisht, çmimi “Yllka Domi”, që i ndahet poetes debutues në Miting, i takoj krijueses nga diaspora Shqipe Bytyqi.

Po ashtu Klubi, duke mos harruar, krijuesit e shquar që nuk jetojnë më fizikisht, ndau mirënjohje postmortum, për poetin e niveleve antologjike, të ndjerin Basri Çapriqi.

Për suksesin e Mitingut të 55 të Poezisë në Gjakovë kanë meritë të veçantë Kryesia e Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” dhe vetë kryetari Muharrem Kurti, prej një kohe të gjatë pjesëtar aktiv i klubit, kryetar, anëtar i Kryesisë në shumë mandate, poet e prozator i shquar me vlerësime dhe çmime ndërkombëtare, njeri me prestigj dhe përkrahje të qytetarëve, profesor i Gjuhës e letërsisë shqipe në Gjakovë.

Sponsorë kryesorë të manifestimit ishin Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës dhe Drejtoria për Kulturë e Komunës së Gjakovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme