Sloterdijk: Në politikë, gomarët mund të vendosin me shumicë se janë kuaj

16 Maj, 2022 - 5:30 pm

Intervistë e Ulf Poschardt me filozofin bashkëkohor Peter Sloterdijk, në të cilën, ndër të tjera, filozofi flet edhe për librin ‘Të lirë’, të autores shqiptare Lea Ypi. «‘Të lirë. Të rritesh në fund të historisë’… është një libër i mbushur plot me zgjuarsi zbavitëse, po, autores mund t’i jepet komplimenti disi i ngatërruar se nuk është në gjendje të shkruajë një fjali të mërzitshme».

Intervistoi: Ulf Poschardt

Zoti Sloterdijk, ju kishit të drejtë në kritikën tuaj ndaj politikës së Merkelit për refugjatët. Përpjekja ime e fundit në idealizmin kombëtar ishte në vitin 2016. Kritika ime ndaj jush në atë kohë ishte e gabuar. Isha naiv për herë të fundit.

Peter Sloterdijk: Kujdes! Në rrethana normale njeriu bën vetëm naivitetin e parafundit. Fatmirësisht, pasi që është e rëndësishme të ketë mbetje naive. Duhet të jetojmë gjithmonë me një fond motivesh të pashpjegueshme.

Në ç‘kuptim?

Sloterdijk: Jeta e humb hijeshinë e saj kur gjithçka lahet në dritën pa hije dhe kur mund të shohësh deri në fund edhe në vendet më të thella në ujë. Nuk e befason më veten dhe kjo do të ishte e vetmja gjë që do të mbetej nëse, në moshën pas të 50-tave – që dikur konsiderohej si pragu i pleqërisë – vërehet rikthimi në rritje i së njëjtës, te vetja dhe te të tjerët. Në këtë rast e vetmja gjë që mbetet është besimi në një mbetje të errët.

Sipas kësaj edhe unë jam zyrtarisht i vjetër. Por gjëja e mirë e maturimit, siç më duket mua, është pranimi radikal i asaj që është: se nuk dëshiron të kesh më iluzione. Apo është kjo sërish vetëm një iluzion?

Sloterdijk: Mbizotërimi i iluzioneve mbi të menduarit është një nga karakteristikat e rinisë. Kur iluzonet bien, mund të shfaqet një realizëm më i qëndrueshëm. Në historinë e gjertanishme të njerëzimit, dikush e ka njohur këtë si një shenjë të moshës madhore. Kjo është arsyeja pse njeriu me të drejtë ndien keqardhje për fëmijët që u detyruan të rriteshin para kohës, për shembull nëpërmjet edukimit princëror, në të cilin dymbëdhjetë ose katërmbëdhjetë vjeçarët derseheshin për t’u rritur. Në atë kohë, pothuajse si Perëndia gjatë krijimit të Adamit, fillohej menjëherë me të rriturit dhe kështu u grabitej adoloshentëve, nëse jo gjithë fëmijëria, rinia po e po.

Psikanalitikët e dinë që më këtë atyre praktikisht u grabitej gjithçka.

Sloterdijk: Sigurisht. Por mendoj se e vërteta është se kur i lëmë pas vitet e larta të iluzioneve, ne rritemi. Kushdo që shkëputet nga iluzionet mitrore, fiton shkallë lirie në realitet, si dhe njohuri se si të përballet me vështirësitë. Dëgjoj thashetheme se pas moshës 70 vjeçare ka një rritje të lirisë nëse lëmë anash tunelin e shtrëngimit erotik. Atëherë do të duhej të bëjmë bisedën tonë të radhës.

Mos të lutem!

Sloterdijk: Mos u shqetesoni! Sipas Platonit, mosha 50 vjeçare është e mjaftueshme për të gjykuar gjërat thelbësore.

Me të vërtetë?

Sloterdijk: Platoni e thekson se nuk duhet t’i besohet askujt shteti para moshës 50 vjeçare, sepse deri në atë pikë zakonisht ka ende shumë impulsivitet papjekurie. Sipas teorisë së tij të edukimit, edukimi për t’u bërë një qytetar i mirë i polisit rezulton nga gërshetimi i andreia, me guxue, dhe sophrosyne, maturisë. Ky do të ishte arti i madh i thurjes, i cili rrallëherë arrihet plotësisht, sepse shpeshherë shumë çmenduri toksike mashkullore depërton në guxim dhe shumë butësi në maturi. Perikleu mund të ketë mbaruar disa vite para kohe, por në përgjithësi rinia mbetet mosha e çekuilibrit.

Libri juaj i ri, “Kush nuk e ka menduar akoma grinë”, ka një freski që nuk ekziston më në filozofinë e zakonshme. Aty, mendoj, sundon një mosqejf radikal në lidhje me ndjenjën e përgjegjsisë si në të menduar ashtu edhe në formulim.

Sloterdijk: Doja të bëja një libër që nuk përmban një fjali që nuk është e rëndësishme për mua dhe për të cilën nuk jam i bindur se do të ndihmonte për të hedhur dritë mbi situatën e përgjithshme. Sidomos në 30 – 40 faqet e para mund ta ndiesh qartësisht bollëkun letrar. Aty pretendoj teorinë e hijes së Platonit në alegorinë e shpellës, e cila është komentuar dhjetra-mijëra herë, për motivin gri – pak dhe me patosin e herës së parë. Gëzimi i zbulimit në diçka tashmë të njohur është i pranishëm nga rreshti i parë deri në fund. Libri është një kuti e shkëlqyer koleksioni për zbulimet në buzërrugën e historisë mendore.

Kam qeshur me zë të lartë me titullin e kapitullit “Mbi gri dhe grua”.

Sloterdijk: Më duhej të mbroja veten nga deklarimet jopopullore. Më dukej më e mençur të urdhëroja një shpërthim ere që do të frynte prenë nga dritarja.

A qeshni dhe Ju ndërsa shkruani?

Sloterdijk: Po, kryesisht ndiej kënaqësi. E dëgjon edhe gruaja ime, sepse unë shpesh lexoj me zë të lartë ndërsa shkruaj. Ajo është e lumtur që unë mund të jem kaq i dhënë pas punës.

Flisni ndërsa shkruani?

Sloterdijk: Nganjëherë flas me zë të lartë. Kjo ka të bëjë me faktin se unë më së shumti shkruaj me veshë.

Martin Heidegger ishte një ritmist i madh.

Sloterdijk: Ai ishte shpesh edhe i ngurtë. Stili im vjen nga bindja ime për të shkruarit. Si autor jam edhe lexues, nuk dua të mërzitem gjatë rileximit.

Shumë më rëndësi.

Sloterdijk: Dhe për fat të keq unë njoh një bollëk të të ashtuquajturave tekste që nuk do të dëshironit t’i lexoni për herë të dytë, përveç nëse shkruani një ese për mërzinë dhe kërkoni një referencë. Traktati i Heidegger-it mbi mërzinë në leksionin e metafizikës të viteve 1929/1930 mbetet i patejkalueshëm deri më tani, nuk ngopeni dot së rilexuari.

Suhrkamp,​​botuesi i librit tuaj, ofron plot shembuj të prozës së zymtë shkencore. Politikisht korrekte, e padurueshme.

Sloterdijk: Më vjen keq që e dëgjoj këtë. Për fat të mirë, kemi kundërshembuj aktual në shtëpi (fjala për shtëpinë botuese Suhrkamp, v.p.). Merrni librin “Të lirë. Të rritesh në fund të historisë”, nga Lea Ypi, një autore e re shqiptare, është një libër i mbushur plot me zgjuarsi zbavitëse, po, autores mund t’i jepet komplimenti disi i ngatërruar se nuk është në gjendje të shkruajë një fjali të mërzitshme.

Por e kuptoj shqetësimin tuaj. Ka tone me prozë gri të disponueshme nga të gjithë botuesit dhe shumë pak literaturë të mirë për grinë. Është e vështirë të mohohet se klima e krijuar e korrektësisë na ka futur në një epokë të censurës së dytë. Ka tepër shumë të atillë që i ndihmojnë inkuizitorët dhe censuruesit të vijnë në pushtet. Inkuizitori i jep vetes dy kompetenca. Së pari, heqja e thonjëzave, së dyti: ndalimi i përgjithshëm i ironisë. Ky i fundit vjen nga më larg. Përpara se vala e zgjimit të shpërthente në SHBA dhe të përhapej edhe tek ne, tashmë kishte një valë antironie atje.

Parë nga prizmi i sotëm, fushata përgatitore.

Sloterdijk: Që vërtetoi se intelektualëve nuk u lejohej më të fluturonin lirshëm.

Ironia i takon të djathtës?

Sloterdijk: Ironia së pari do të donte të shmangej lart. Por, nëse e mira është në të majtë dhe tek e majta serioziteti i ri ndihet në shtëpi, atëherë lart është djathtas. Levitimi i lirë gjithashtu ngrihet në të djathtë.

Në librin tuaj mund të gjeni fjalinë: “E ardhmja i përket një politike rregullatore eko-burokratike që përshkruan rrugën e shtetit drejt menopauzës së tij postdemokratike, i cili është sa nënkompetent aq edhe i mbingarkuar.” A është kjo e djathtë ironike apo e majtë serioze?

Sloterdijk: E kam shkruar në një kohë kur ende nuk e dija se kampioni i menopauzës Olaf Scholz do të arrinte majën. Por për sa i përket vlerave, ajo godet në vend. Në shtyp, shihet vazhdimisht udhëheqja e dyfishtë Baerbock/Habeck, e cila është më e lehtë për t’u përbirë se Scholz për shkak të vlerës së shtuar fotografike. Lindner ka një periudhë të vështirë në fillim, sepse ai duhet të marrë shumë vendime contre cœur që në fillim. Kjo vlen edhe për Habeck-un, por atij i falet më lehtë.

Njërzit e duan.

Sloterdijk: Për arsye të kuptueshme, ai godet në shenjë. Deri më tani ai po bën një figurë shumë më mirë sesa pritej. Kjo vlen edhe për Annalena Baerbock, për të cilën kohët e fundit fola pak më pa respekt. Këta politikanë tani po lëvizin në fusha të tjera të forcës nën stresin e realitetit. Në to, ata piqen më shpejt se shumë të tjerë që akoma qëndrojnë në periudhën e ëndrrave politike.

A duhet të ndjekë politika shkencën?

Sloterdijk: I nderuar zoti Poschardt, ju sigurisht se duhet ta keni të qartë që po hapni një kuti të Pandorës me këtë pyetje? Çështja e marrëdhënies midis politikës dhe epistemes është po aq e vjetër sa edhe vetë filozofia; ajo u bë e mprehtë në mosmarrëveshjen midis Platonit dhe studentit të tij të shkëlqyer Aristotelit. Aristoteli e kritikoi mësuesin e tij se kishte parasysh një epistemokraci, një pushtet ekspertësh. Si një mjet kontrolli për jetën private dhe publike, Platoni nuk zgjodhi një opinion që kërkonte diskutim, por njohuri që ishte më e lartë se diskutimi. Kur flet për mbretin filozof, ai nënkupton matematikanin në pushtet.

Filozofia shkëputet nga debati politik, sepse bazohet në të vërteta të tilla si ato të teorisë së numrave dhe gjeometrisë. Tek ta llogariten vetëm provat, jo votat. Por politika, ashtu si historiografia, sipas Aristotelit, mbetet një sferë e të mundshmes. Për momentin, njohuritë shkencore janë të pavend këtu. Studiuesit nuk e dinë më mirë se gjeneralët apo tregtarët se si do të dalë fushata e radhës kundër Spartës. Në politikë, gomarët mund të vendosin me shumicë se janë kuaj. Atëherë do të duhet të presësh që një ditë asinokratët të bëhen pakicë.

Shkenca po vepron gjithnjë e më shumë si një fraksion këshillues i qeverisë.

Sloterdijk: Kjo priret të jetë e rrezikshme sepse shkencëtarët në politikë shpesh shfaqin një objektivizëm pozitivist brutal.

Brutal?

Sloterdijk: Është e vështirë sepse disa shkencëtarë sillen sikur 100 vjet kritika ndaj pozitivizmit i kanë lënë të paprekur.

Dikush konsiderohet shpejt armiqësor ndaj shkencës nëse vë në dyshim tezat e virologëve dhe meteorologëve.

Sloterdijk: Ky nuk është domosdoshmërisht faji i shkencëtarit individual. Christian Drosten, për shembull, i bën nder disiplinës së tij, sepse ai e prezanton shkencën para publikut si një praktikë mësimore dhe të gatshme për rishikim. Ai nuk është pozitivist. Nga formimi i tij profesional ai tashmë e di se është e rëndësishme të lundrosh përpara valës së mutacioneve.

Por ai ndoshta nuk e kuptoi se ajo që thotë në Këshillin e Ekspertëve të Qeverisë Federale nuk mund të jetë thjesht shkencë.

Sloterdijk: Kjo është e saktë. Këshillimi politik nga shkënctarët ka qenë më i ndryshëm nga Projekti Manhattan se sa ishte më parë. Ishin shkencëtarët ata që vunë bombën atomike në duart e politikanëve të asaj kohe. Pas Ditës së Hiroshimës, u krijua një gjendje rrënjësisht e re. Nevoja për të rilidhur shkencën me përgjegjësinë mund të datohet që nga ai moment. Ky është një imperativ i ri që askush në vendin tonë nuk e formuloi aq urgjentisht sa Carl Friedrich von Weizsäcker. Shfaqja e tij shënon një pikë kthese në qytetërim.

Në çfarë mënyre?

Sloterdijk: Nga mesjeta e këtej, sfera politike u lidh me teknologjinë dhe teorinë e saj, mbi të gjitha nëpërmjet armatimit. Metalurgjia e tyre e avancuar i lejoi evropianët të ndërtonin topa dhe pushkë që i bënin ata superiorë ndaj kulturave të tjera. Ajo që quhet kolonializëm përshkruan një fazë të epërsisë së njëanshme në teknologjinë e armëve nga evropianët ndaj pjesës tjetër të botës. Në Luftën e Parë të Opiumit, disa anije britanike me topa detyruan Perandorinë Kineze të nënshkruante Traktatin poshtërues të Nanking në 1842. E gjithë Afrika shtrihej përpara grykave të pushkëve dhe topave të armëve evropiane si një madhësi lehtësisht e pushtueshme.

 Çfarë del nga kjo?

Sloterdijk: Bota u bë gjithnjë e më evropiane kur teknologjia evropiane dhe baza e saj teorike, shkenca, u adoptua, jo vetëm në armë, por si inxhinieri e përgjithshme mekanike. Rezistenca kundër universalizmit të teknologjisë dhe shkencës është e kotë. Ndërkohë, në formën e klimatologjisë është shfaqur një disiplinë e re, e cila merret me meteorologjinë botërore me pretendime universaliste.

Kur një ngjarje gjeologjike si ndryshimi i klimës hyn në historinë njerëzore, ka arsye për të rishqyrtuar kalendarët e qytetërimeve. Termi Antropocene e shpreh këtë. Klimatologjia organizon një konferencë të përhershme dhe i imponohet politikës në formën e një brifingu shkencor. E ka këtë të përbashkët me një pjesë të filozofisë që është shfaqur si diagnostikim kohor dhe terapi kohore që nga thyerja e madhe e të menduarit në shekullin e 19-të.

Heronjtë Tuaj të të menduarit gri, Hegeli dhe Heideggeri, ishin real-politikanë për një kohë të shkurtër, Hegeli me interpretimin e Napoleonit, Heidegeri me mbiinterpretimin e lëvizjes naziste.

Sloterdijk: Hegeli e shihte historinë si vendin që mendja lë pas në rrugën drejt vetvetes. Për të, konsumimi i madh i jetëve njerëzore nga Napoleoni ishte vetëm një kapitull aktual në këtë kurs. Heideggeri e kishte keqpolitizuar veten sepse donte të dilte nga zona gri e periudhës së pasluftës. Ai u mbështet në vendosmërinë revolucionare në stilin kombëtar për të shmangur kalimin në arbitraritet liberal. Ai hipi në trenin e gabuar.

A ishte në pyetje sqima?

Sloterdijk: Jo aq shumë sqima, mendoj, më shumë dëshira për t’u prekur nga tabloja e madhe. Ai nuk ishte i vetëm në këtë. Është një tendencë që intelektualët të pëlqejnë të ndihen të vendosur në mes të rrymës së jetës. Ndjesia është droga më e fortë.

Si e përballoni tundimin për t’u bërë pesimist kulturor?

Sloterdijk: Kur dikush nuk ka besim në vlerën e tepërt të punës së tij, ai zhytet lehtësisht në depresion. Këto ditë po lexoj përsëri letrat e Heinrich Heine nga Parisi, duke filluar nga viti 1842 – ato janë të një gëzimi dhe virtuoziteti që hidhet përpjetë. Heine hamendet çfarë do të ndodhte nëse tendenca e rivalit të tij Ludwig Börne do të mbizotëronte. Ai parashikon cancel culture,   konformizmin moralizues, fitoren e grisë së ditës së punës – zhdukjen e përgjithshme të bilbilave, zbehjen e këngëve të fundit të lira pyjore të romantizmit dhe diktatit të dobisë. Edhe atëherë një brez i ri jakobinësh kishte marshuar për të kërkuar nënshtrimin e të gjithëve ndaj kritereve të tyre. Heine e pa këtë me tmerr, por edhe me bindjen në papërmbajtshmërinë e lëvizjes që e çoi grinë drejt fitores nën flamujt e kuq.

Në kapitullin e librit tuaj mbi teorinë politike të ngjyrave të shekullit të 20-të ju vendosni afinitete të rrezikshme zgjedhore, njëra midis Leninit dhe Musolinit, tjetra midis Stalinit dhe Hitlerit.

Sloterdijk: Libri im, në pjesën e tij të dytë, trajton një ngjarje që unë e quaj zhvendosje kuq-gri – ai ofron një pasqyrim teorik me ngjyra të asaj që Eric Hobsbawm e ka quajtur “Epoka e Ekstremeve”. Unë e shpjegoj këtë kryesisht duke përdorur shembullin e RDGJ, shteti më gri nga të gjitha vendet gri post-sovjetike. Thinjëzimi i RDGJ-së ishte parafytyruar tashmë në Bashkimin Sovjetik; “Terrori i kuq” i Leninit i vitit 1918 u zbeh gradualisht në grinë e Stalinit, e cila u ngrit nga sinteza e terrorit, burokracisë dhe sundimit të shërbimit sekret.

Dëshmitari im kryesor për këtë interpretim është Marcel Mauss, një njeri me kredencialet e paprekshme të një të majti bujar francez. Sipas diagnozës së tij të formuluar në vitin 1936, sistemi sovjetik mund të kuptohej vetëm si “rregull i konspiracionit të përhershëm”. Ky është emri i vërtetë i “diktaturës së proletariatit”. Komploti i vazhdueshëm i qeverisë kundër popullit përshkruan situatën në hemisferën lindore që nga dhjetori i vitit 1922, momenti i themelimit të Bashkimit Sovjetik, dy muaj pasi Musolini erdhi në pushtet, dhe formula është ende e vlefshme sot. Ndër konstantet e saj ishte shtrirja e emrit “fashizëm” nga partia italiane në gjithçka jobolshevike.

Në këtë aspekt, Putini është ende i varur nga pika staliniste; për të, gjithçka që nuk është Putin është “fashizëm” i pastër, veçanërisht në Ukrainë. Sistemi i ngritjes së kornizës ka qëndruar gjatë gjithë shekullit, megjithëse u lëkund për një kohë të shkurtër në vitet 1990.

Me Jelcinin?

Sloterdijk: Saktë. Mëpastaj shërbimet e vjetra sekrete shtrënguan frenat dhe sundimi i komplotit u stabilizua përsëri. Putinizmi nuk është gjë tjetër veçse konspiracion i agjencive sekrete post-sovjetike. Nga ky këndvështrim, nuk ka nevojë të flasim fare për Kinën. Aty partia është përforcuar si komploti i të gjitha komploteve.

Në librin tuaj ka një formulim si “Shngjyrimi i të gjitha vlerave të ngjyrave”. Kjo elektrizon. Askush tjetër nuk shkruan kështu sot.

Sloterdijk: Të shkruarit, siç e kuptoj unë, është një lëvizje midis gjendjeve të lirisë të relaksuara dhe më rigoroze. Lëviz andej-këndej në një paralelogram midis pjekurisë dhe papjekurisë. Pjekuria garanton se ju respektoni gjendjen e artit, papjekuria e bën atë të tingëllojë si diçka që nuk e keni dëgjuar kurrë më parë.

Përktheu nga gjermanishtja: Valon Veliqi /Express/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme