Sonte në “Hemingway Tirana”, takim me shkrimtaren gjermane Sandra Hoffmann

24 Tetor, 2018 - 5:30 pm

Sonte në Hemingway Tirana, në ora 19:00 mbahet bashkëbisedim dhe autograf me shkrimtaren e njohur gjermane Sandra Hoffman , autore e romanit “Paula”, fitues i çmimit letrar “Hans Fallada”, 2018.

Përkthyer nga Sokol Mici, “Botimet POETEKA” tetor 2018.

“Kam mbushur katërmbëdhjetë. Më kanë dhënë një gramafon dhe kam edhe një pllakë, “Eve” të Alan Parsons-it. Nuk marr vesha fare nga muzika, se te ne muzika dëgjohet vetëm ashtu
kot, çfarë të dalë përpara. Muzikë popullore, këngë të lehta të Udo Jurgens-it, muzike bande të madhe të James Last-it, Richard Strauss-it për Vit të Ri dhe ngandonjëherë edhe të dielave. As edhe një gjurmë nga Bach-u ashtu si dhe nga Beatles-at dhe Pink Floyd. Të hënave shoh me gjyshen hit paradën me Thomas Heck-un. Gjyshja s’merr vesh fare nga muzika. Nëna nuk interesohet për muzikën. Im atë po ashtu. Pllakën e gramafonit e kam blerë një herë kur dola nga shkolla. Ishte në një stendë bashkë me pllaka të tjera që shiteshin më lirë. Ndoshta bënte nëntë marka e nëntëdhjetë cent. Ndjehesha krenare për këtë pllakë, se kishte kopertinë të bukur, me një grua me vel rrjetë në fytyrë, që duket e re dhe tërheqëse. Seksi. Edhe në shtëpi kjo pllakë duket bukur. Dhe kur e vë befasohem se më pëlqen shumë. E dëgjoj shpesh pafund, nuk pushoj dot së dëgjuari “Lucifer”. Kur jam në dhomë duke dëgjuar “Lucifer” harrohem fare, po gjyshes nuk i pëlqen që unë harrohem, e duket sikur ajo nuk e duron dot nën pullazin e saj një pjesë muzikore që është kaq emocionues, kështu thuhet. Unë dëgjoj muzikë me derë mbyllur, kam filluar t’i lejoj vetes të mbyll derën. Kam pushuar së lëni derën pak hapur. Gjyshes nuk i pëlqen. Kur mbyll derën dhe dëgjoj “Lucifer” gjyshja vjen në dhomën time. Nuk thotë gjë. Më vështron si ndonjë kafshë në kopshtin zoologjik, megjithëse unë s’po bëj gjë tjetër veçse jam ulur mbi qilimin portokalli mbështetur pas shtratit duke dëgjuar pjesën muzikore. Mundohem të mos ia var, po ajo s’ikën më nga dhoma. Mund ta ulësh pak? Po unë nuk dua ta ul. (fragment nga romani)

Nuk duhet të ketë qenë e lehtë mbajtja e brenda vetes e këtij rrëfimi të fuqishëm autobiografik. Rrëfimi për të tjerët, i historisë që duhet të varrosej brenda mureve të shtëpisë, duket të ketë qenë po aq i padëshiruar sa edhe fëmija i paligjshëm që Paula solli me vete. Por a duhej apo duhej varrosur kjo histori? Sa prej nesh do të kishin qenë të gatshëm t’i nxirrnim sheshit të fshehtat familjare, të heshtnim për të përdalët, perversët apo ata me të kaluar të dyshimtë? (Arian Leka)

Organizatorë: Goethe-Zentrum, Ambasada Gjermane dhe Shoqata kulturore Poeteka./ KultPlus.com

Të ngjajshme