Sot është 152 vjetori i lindjes së poetit Ndre Mjeda

20 Nëntor, 2018 - 6:00 pm

Ndre Mjeda ishte një nga patriotët, studiuesit dhe deputetët ndër më të njohur shqiptar. Ai lindi në Shkodër më 20 nëntor 1866, ndërsa sot kujtohet në 152 vjetorin e lindjes së tij. Me mjeshtrin e tij stilistike, me talentin, me ndjeshmërinë dhe finesën e tij, ai mbetet poeti ndër më të bylbylshëm të vargut dhe kumtimit shqip.

Mësimet e para i ndoqi po në vendlindje dhe edukimi i tij u influencua nga Urdhri i Jezuitëve. Nën Urdhrin e Jezuitëve në pranverë të 1880-s, Mjeda studioi për tre muaj në fshatin Cossé-le-Vivien, Laval, një qytet në veriperëndim të Francës. Në vitet e mëvonshme ai ndoqi studimet për letërsi në manastirin Kartakuzian të Porta Coeli në veri të Valencias.

Më pas Mjeda studioi teologji në Kolegjin e Jezuitëve në Krakov, Poloni, ku gjithashtu shërbeu edhe si bibliotekar në kolegjin Gregorian të Kraljevicës. Gjatë studimeve në Poloni, Mjeda u caktua edhe si profesor i logjikës dhe metafizikës në këtë universitet. Gjatë kësaj periudhe Mjeda filloi të shkruante në vargje për Çështjen Kombëtare Shqiptare, duke përfshirë edhe poemën e tij të njohur dhe melankolike “Vaji i Bilbilit” publikuar më 1887, ku ndjehet fryma patriotike dhe notat e përmallimit, që shquanin paraardhësit e tij L. De Martini, N. Bytyçi, etj. Gjithashtu botim i kësaj periudhë është edhe poema “Vorri i Skënderbeut”,e cila si temë qendrore ka emigrimin e shqiptarëve pas vdekjes së Skëndërbeut.

Mjeda do të njihet me kryeveprën “Juvenilja”. Më 1911 ai shkroi poemën “Liria”. Gjithashtu për letërsinë Shqiptare janë të njohura edhe disa nga poemat e tij si “Scodra”, “Lissus”, “Malli për Atdhe”.

Kontributi i Mjedës, përveçse në fushën e poezisë do jetë mjaft i vlefshëm dhe i vyer në fushën e Albanologjisë, ku përmendim vepra të tilla si: “Mbi Shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës Shqipe”. Më 1901 së bashku me vëllain e tij, Lazër Mjeda, themeloi shoqërinë kulturore “Agimi”. Më 1908 në Kongresin e Manastirit u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ku u dallua si përkrahës i Alfabetit Shqiptar, krahas patriotëve të tjerë të shquar. Gjatë viteve 1916-1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare.

Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924), Ndre Mjeda mori pjesë aktive në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratik u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Në vitet 1930-1932 transkiptoi pjesërisht veprën e Bogdanit dhe të Budit, gjithashtu shkroi edhe për dialektin Shqiptar të Istrias. Deri në fund të jetës Mjeda shërbeu si mësues në Kolegjin Jezuit të Shkodrës.

Ai vdiq më 1 gusht 1937. Mjeda do të kujtohet si një nga patriotët dhe shkrimtarët më të shquar shqiptar me një kontributi të paharruar. / KultPlus.com

Të ngjajshme