152 vite nga lindja e Andon Zako Çajupit

27 Mars, 2018 - 1:10 pm

Më 27 mars 1866, ka lindur poeti i shquar Andon Zako Çajupi. Ai njihej edhe si dramaturg dhe si një veprimtar i njohur i Rilindjes Kombëtare, shkruan KultPlus.

Çajupi njihet edhe veprimtar patriot dhe demokrat revolucionar shqiptar. Kryevepra e Çajupit “Baba Tomori” e botuar më 1902 është ndarë në katër pjesë: “Atëdheu”, “Dashuria”, “Përrall të vërteta e të rreme” dhe si shtojcë e ka komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”.
Përveç një varg vjershash dhe fabulash që botoi në Baba Tomori, më 1921 nxori në dritë “Përralla të zgjedhura”: të vjershëtarit të madh La Fontenit, në të cilat, duke u nisur nga kërkesat ideore të shoqërisë shqiptare, rrahu me mjeshtëri çështjet politike, shoqërore, morale etj. të jetës së kohës, satirizoi veset njerëzore dhe shfaqjet negative të shoqërisë me klasa, si grabitjen, mashtrimin, dhunën etj. Më 1922 u botua Lulet e Hindit, përmbledhje me vjersha të poetëve indianë.

Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij: Përralle nga e kaluara dhe Pas vdekjes (shkruar më 1910, botuar më 1937), me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij lloji në letërsi. Në komedinë e parë, autori vuri në lojë me një humor të lehtë mentalitetin dhe zakonet prapanike të fshatit shqiptar, të cilin e dha me ngjyra të gjalla e plotë imtësi të goditura jetësore dhe etnografike. Pas vdekjes është një komedi politike, ku me anë të situatave komike të gjetura bukur, përshkroi me sarkazëm dërrmuese portretin e politikanit që bënte lojën e xhonturqve në gjirin e lëvizjes patriotike shqiptare. Penës së Çajupi i përket edhe tragjedia Burri i dheut (botuar më 1937).
Çajupi u mor edhe me përkthime. Përveç një varg vjershash dhe fabulash që botoi në Baba Tomori, më 1921 nxori në dritë “Përralla të zgjedhura”: të vjershëtarit të madh La Fontenit, në të cilat, duke u nisur nga kërkesat ideore të shoqërisë shqiptare, rrahu me mjeshtëri çështjet politike, shoqërore, morale etj. të jetës së kohës, satirizoi veset njerëzore dhe shfaqjet negative të shoqërisë me klasa, si grabitjen, mashtrimin, dhunën etj. Më 1922 u botua Lulet e Hindit, përmbledhje me vjersha të poetëve indianë.

Çajupi është një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të letërsisë përparimtare shqiptare. Me veprat e tij, që shquhen nga patriotizmi luftarak, fryma e spikatur demokratike, karakteri Popullor, spontaniteti dhe realizmi në pasqyrimin e jetës, ai dha një ndihmesë të çmuar në përparimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë kombëtare./ KultPlus.com

Të ngjajshme