‘Sot është më e thjeshtë të thuash trapllëqe të cilat nuk qëndrojnë në këmbë dhe kurrkush s’i vë re’

5 Shtator, 2022 - 3:59 pm

Nga historiani Alessandro Barbero

Gjithë periudhat e historisë janë të ndryshme njëra nga tjetra; ama ka një veçori në ata që i quajmë “shekuj të errët” e cila sot, sipas meje, është duke u shfaqur përsëri.

Kur themi “shekuj të errët” e kemi fjalën në veçanti për qindra vitet e vërshimeve barbare dhe periudhën menjëherë pas tyre, jo të gjithë Mesjetën – periudha e Dantes apo e ndërtimit të Katedrales së Zojës Tonë në Paris nuk janë pjesë e “shekujve të errët”, afërmendsh.

Ama shekujt V, VI, VII, janë periudha në të cilat shkruhet pak dhe veprat e përpiluara asokohe na bëjnë disi përshtypje, pasi nuk përmbajnë logjikë të patundshme, arsyetimi ecën paksa kuturu, vërtetim të të dhënave nuk ka, bestytënia mbizotëron.

Këtë zvetënim të aftësive logjike ndër dijetarët e “shekujve të errët”, une e shoh disi edhe sot; për shembull në ligjërimin publik ose edhe në gazetari. Parimi aristotelian i mos-kundërshtisë, logjika e ndjekur në argumentim, rrjedhishmëria në pohimet që bëhen…

S’e di nëse ka qenë kështu që më parë, por më duket se sot është më e thjeshtë të thuash trapllëqe të cilat nuk qëndrojnë në këmbë, e që madje kundërshtojnë njëra-tjetrën, dhe kurrkush s’i vë re.

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

Të ngjajshme