Sot feston ditëlindjen autorja e librit  të famshëm ‘Harry Potter’, JK Rowling

31 Korrik, 2023 - 12:00 pm

Shkrimtarja britanike, Joanne Rowling e njohur me super veprën e saj të ‘Harry Potter’ feston sot 59 vjetorin e lindjes, shkruan KultPlus.

As sfidat më të rënda jetësore, që prej ndarjes së prindërve të saj, përballja me sëmundjen e rëndë e deri tek ndarja nga bashkëshorti, nuk e rrëmbyen suksesin e saj. Përkundrazi, pjesa personale nuk luajti fare rol në profesionin e saj.

Si një fëmijë i vogël, ajo kishte thurur në kokën e saj ëndrra të mëdha, përkushtimi i të cilave shndërroi ‘të pamundurën në realitet’ me ndërtimin e suksesit, por edhe me kalimin e përmasave të saj.

Me vetëm 6 vjeç, shkroi librin e parë të titulluar ‘Lepuri’. Ndërkaq, 5 vite më vonë, me të mbushur 11 vjeç, ajo shkroi romanin e saj të parë- rreth shtatë diamante të mallkuar dhe njerëzit që i zotëronin ato.

Karrierën e nisur në fëmijëri, e vulosi në pjekuri, me veprën gjigante të saj ‘Harry Potter’’, libër i cili numëroi shifra marramendëse, me shitjen e mbi 400 milionë kopje të librit.

Rowling, studimet i përfundoi në Universitetin Exeter, në programin për frëngjisht dhe klasikë, karakteristika këto, të cilat i hynë në punë edhe në ndërtimin e librit të magjishëm ‘Harry Potter’.

Rowling e konceptoi idenë e Harry Potter në vitin 1990, ndërsa ishte ulur në një tren të vonuar nga Mançesteri në Londrën King’s Cross. Ndërkaq, përgjatë pesë viteve të tjera, ajo nisi të hartonte shtatë librat e serisë.

Edhe pse libri i Harry Potter konsiderohet një markë globale, historia e autores J.K Rowling përmban në vete dhimbje, rezistencë e në fund edhe triumf.

Historia e shkrimtares britanike, Rowling është një histori inspirimi, një motiv për të mos u dorëzuar kurrë dhe një shtysë për të besuar se asnjëherë nuk është vonë për të realizuar ëndrrat.

Kujtojmë që Rowling përpos tipit të librave si ‘Harry Potter’ merret edhe me shkrimin e romaneve për të rriturit, siç janë edhe ato me tematikë kriminale, me emrin e stilolapsit Robert Galbraith. / KultPlus.com

Të ngjajshme