Sot hangra hudër

27 Qershor, 2021 - 9:10 pm

Nga Plator Gashi

sot hangra hudër.
shoku mbramë më tha mos me porositë tarator n’akçihane
se zaten dobësohen gjasat që m’begenisë ajo çika që na grishi për raki, po s’kish qenë puna te hudra —
tekembramja e zuna veshin, me shije shollomotke në gojë, tu mendu për tarator.

sot hangra hudër, të trazume në taratorin
që u çova me e ba kastile (edhe me pak inat) n’ferk t’sabahut.
gjysën e fshiva e pjesa tjetër i mbet nanës,
ose cilitdo nafakli që ka hy në kuzhinë mbas meje.

kur dola në shehër (tu kundërmu aq fort
sa s’la pa ma përmend as taksisti),
shoqja e ngushtë më zuni n’gushë
e m’veti për punë, gjumë, dhimbje, dëshpërime, vese e andrra,
po për hudër s’erdh fjala.

sot hangra hudër edhe, siç ndodh shpeshherë mbas buke,
u frymëzova me shkru;
me e saju ndonji analogji të brishtë
për jetën
për marrëdhaniet midis njerëzish
sa me u bindë gjoja për ekzistencën
e nji koherence e vazhdimësie në kët’ alem.

sot hangra hudër
sepse të gjithëve dikur na vjen rendi
me i mbllaçitë do hudra të figurshme
(që kemi vendosë se na i kanda)
e me dalë me u marrë me taksista,
me jabanxhi që na ftojnë për raki,
e me ojnat e njerëzve të tjerë —
tu e bajtë në shpatulla frikën
se po ia çartim qefin kujt.

po shija e taratorit, bac,
e gusha e ngrohtë e jaranisë së fortë
i shndërron thelbat e hudrës
në gonxhe të çeluna zymbylash./ KultPlus.com

Të ngjajshme