Sot nis edicioni i tretë i Festivalit të Prozës Artistike, ‘FictionFest’

8 Tetor, 2020 - 3:26 pm

Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi”, në datat 08 dhe 09 tetor 2020, organizon edicionin e tretë të Festivalit të Prozës Artistike “FictionFest”.

Në këtë edicion do të keni rast të dëgjoni prozë artistike nga shkrimtarë të vlershëm shqiptarë dhe të huaj, si Adem Gashi (Kosovë), Matthias Naërat (Gjermani), Amer Tikvesha (Bosnja), Ardian Haxhaj (Kosovë), Stefan Çapaliku (Shqipëri), Bardh Rugova (Kosovë), Durim Taçi (Shqipëri), Sandra Gogiç (Austri), Liridon Mulaj (Shqipëri), Milica Vuçkoviq (Serbia), Nava Ebrahimi (Gjermani) dhe Shpresa Qeriqi (Kosovë).

Edicioni i tretë i Festivalit të Prozës Artistike do t’i ketë dy mbrëmje leximi dhe një takim letrar me shkrimtarin dhe prozatorin e njohur shqiptar, Virion Graçin. Kështu që, në mbrëmjen e parë do të lexojnë dhe do të lexohen tregime e fragmente nga romanet dhe proza artistike e këtyre shkrimtarëve: Adem Gashi, Amer Tikvesha, Bardh Rugova, Durim Taçi, Sandra Gogiç dhe Milica Vuçkoviq. Mbrëmja e parë do të mbahet më datën 08 tetor, 2020, ora 18:00, në restorant “Amaro”, rr. Eqrem Çabej (përballë Fakultetit të Filologjisë-UP), Prishtinë. 

Në mbrëmjen e dytë do të lexojnë dhe do të lexohen tregime e fragmente nga romanet dhe proza artistike e këtyre shkrimtarëve: Ardian Haxhaj, Stefan Çapaliku, Matthias Naërat, Nava Ebrahimi, Liridon Mulaj dhe Shpresa Qeriqi. Mbrëmja e dytë do të mbahet më datën 09 tetor 2020, ora 18:00, në restorant “Amaro”.

Gjithashtu, Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” është e nderuar që do të ketë rastin ta organizojë takimin letrar me shkrimtarin dhe njërin nga prozatorët më të rëndësishëm të letërsisë së sotme shqipe, Virion Graçi. Për veprën e këtij autori, me fokusim të veçantë te dy romanet e tij të fundit (“Pëllumbat i vrasin natën” dhe “Dead end”), do të flasin shkrimtarët e njohur shqiptarë Sali Bashota dhe Gëzim Aliu. Ky takim do të mbahet më datën 09 tetor, 2020, ora 12:00, në restorant “Amaro”.

Edicioni i tretë i Festivalit të Prozës Artistike “FictionFest” u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës dhe Goethe Institute. /KultPlus.com

Të ngjajshme