Stefan Boskovic solli në Prishtinë pjesë nga fëmijëria e tij përmes tregimit “Përbindëshat”

18 Prill, 2019 - 9:30 pm

Qendra Multimedia në bashkëpunim me Reading Balkans kanë sjellë sot në Prishtinë shkrimtarin Stefan Boskovic, i cili është pjesë e rezidencën letrare “Prishtina nuk ka lum”, shkruan KultPlus.

Tema që u diskutua ishte “Interpretimi prej perspektivës së fajësisë fëmijërore”. Kjo temë rrjedhë nga tregim “ Përbindëshat” që u lexua paraprakisht nga vet autori, i cili do të qëndrojë në Prishtinë gjatë muajit prill.

Tregimi “Përbindëshat” shtjellon  aspektin kur fëmija kalon në adoleshencë, ndeshjen e tij me prindëri , perspektiva e fëmijës dhe perspektivën e prindërit dhe momentin kur të gjitha këto ndeshen mes veti. Në këtë tregim autori sjellë edhe një pjesë nga fëmijëria e tij, atëherë kur edhe ia ka marrë babait të tij parat fshehurazi, edhe pse shuma e tyre ishte shumë më e vogël se ajo në tregimin e tij. Ky tregim ka sipas tij ka shërbyer si një terapi psikologjike edhe për të.

 “Adoleshenca është një prej temave që punoj më së shpeshti edhe në qoftë se personazhet janë të rritur. Për mu është më rendësi me u nis prej perspektivës së fëmijës i cili është duke kaluar në moshën e adoleshencës për shkak se këtu bëhet njëfarë kapërcimi prej perspektivës së pafajësisë së fëmijës tek gjërat të cilat janë relevante për botën e të rriturve”, tha Boskovic.

Fëmija i cili gjendet në qendër të këtij tregimi mendon se është shkaktar i grindjeve që prindërit e tij kanë mes veti. Madje ai beson se gjithë kjo është si pasojë se ai ka vjedhur disa para. Sipas tij situata të cilat kalojnë fëmijët dhe mënyrat sesi ata i perceptojnë gjërat ndikojnë pastaj në mënyrën sesi ata formësohen dhe mendojnë si të rritur.

“Unë mendoj që është shumë me rëndësi të trajtohen tema apo mënyrën se si plasohen problematikat e ndryshme në moshën e hershme dhe si ndikojnë më pas në atë se kush bëhemi kur të rritemi”, tha autori.

Ky tregim  është pjesë e marrë nga tregimet e tij “Shtazët transparente”, ku të gjitha tregimet kanë një të përbashkët atë të trajtimit të marrëdhënieve në familje.  

“Në përmbledhje janë 15 tregime që në fakt kanë tema të ndryshme dhe janë si pjesë të një kompozicion muzikorë që është më i madh. Në këto tregime, tema e adoleshencës gjithmonë mbizotëron dhe rikthehet në çdo tregim, si një romance apo një aferë  dashurie mirëpo te gjitha kanë të përbashkët trajtimin e hapësirës dhe relacionit me familjen”, theksoi tutje autori.

Stefan Boskovic ka mbaruar shkollën e mesme muzikore “Vasa Pavić” në Podgoricë. Ka studiuar në Akademinë e Muzikës në Cetinje. Ai u diplomua në dramaturgji në Fakultetin e Arteve Dramatike në Cetinje. Ai ka botuar edhe tregime të shkurtra: “Në pikën e vdekjes”, “Gjërat e mia të preferuara”, “Kafshët transparent” (Ars, 2014. Libri Partizane 2017)./ Xheneta Uka/KultPlus.com

Të ngjajshme