займ на карту онлайн потребительский кредит

Stefan Çapaliku në promovimin e dy vëllimeve të tij në Prishtinë: Ne jetojmë në një kohë ku njeriu çmendet lehtë

Dhjetor 14, 2017 - 3:29 pm

Dramaturgu, regjisori dhe esteti i njohur shqiptar Stefan Çapaliku promovoi sot dy vëllime të romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Autori përmes këtij libri rikthehet përmes prozës se gjatë me një roman autobiografik, ku subjekt të rrëfimit ka momentin e prishjes së institucioneve të kultit, në vitin 1967. Romani shtrihet në tri dekada të diktuarës, ndërsa prek rrëfimet në pjesën veriore të qytetit shumëdimensional të Shkodrës, ku autori paraqet personazhe reale. Vëllimi i dytë i këtij libri përmban rreth 29 tregime dhe është i ndarë në tri pjesë.

Frano Kulli, nga enti botues “Gjergj Fishta” tha se krijimtaria letrare e autorit Çapaliku, arrin të prek kulim pikërisht me këtë vepër, pasi që ky libër është mirëpritur në shume qytete të Shqipërisë, ndërsa tha se është i nderuar që këtë libër po e promovojnë para këtij auditorit.

“Krijimtaria e tij kulmon me botimin “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, ky nuk është mendim as i imi as i entit tonë botues por është provuar me ecurinë qe ka pasur vëllimi i parë. Unë mund të ju them që në eksperiencën 20 vjeçare të entit tonë botues është libri më i mirëpritur për lexuesit shqiptar dhe përtej. Ne kemi pasur edhe botime të tjerë të suksesshëm, mirëpo ky libër është edhe njëra nga eksperiencat më të bukura të entit tonë botues”, u shpreh Kulli sot gjatë promovimit të librit.
Shkrimtari Ndue Ukaj lexoi një tekst të titulluar “Çmendia e Stefan Çapaliku”, ku në fillim të tekstit thekson se ky libër duhet të lexohet sepse është një vepër e bukur arti kundër çmendisë.

“Çapaliku ka shënuar suksese në secilën fushë dhe ka marrë çmime ndërkombëtare. Ky është një roman prekës qe flet për kujtesën komuniste, një roman autobiografik që është shkruar me shkathtësi dhe stil rrëmbyes që lexuesit të kultivuar i jep kënaqësi të dyfishtë estetike dhe intelektuale. Me personazhe reale, karakteret e tij nuk janë heronj, por të degdisur në mjerim. Ky roman në të njëjtën kohë hap një shteg të ri për prozën bashkëkohore”, u shpreh shkrimtari Ukaj gjatë ceremonisë promovuese.

Po ashtu në këtë ceremoni për pjesën e parë të librit fjalën e mori edhe shkrimtari dhe profesori Ag Apolloni. Ai tha se përmes kësaj letre më të shkurtër ka paraqitur përshtypjet e tij për pjesën e parë të librit.

“Dramaturgu nuk e ka braktisur dramën, por e ka gjetur atë edhe në prozë. Vazhdimësia gjen një logjikë kohore. Stefan Çapaliku, poet, tregimtar, studies, eseist e veçmas dramaturg së fundi ka ndërmarr një projekt të madh në prozë, që është realizuar në dy vëllime por mund të vazhdoj edhe në ndonjë vëllim tjetër. Vazhdimësia ndjek një logjikë kohore kurse element konstant mbetet narrator i i cili duke dëshmuar për jetën e tij dhe jetën rreth tij e subjektivizon rrëfimin dhe i jep status të një fiksioni autobiografik”, ishin disa nga fjalët e Apollonit në këtë promovim.

Agron Shala foli për pjesën e dytë të romanit “ Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, derisa shtoi se autori në të dy vëllimet dëshmon se ka një kujtesë të shkëlqyer dhe paraqitet me një stil unik të shkrimit. Ai tha se për dallim nga pjesa e parë, autori në vëllimin e dytë sheh dhimbjen edhe në situatat më komike dhe se vëllimin e dytë e katarakterizon dhe ëndrra.

Vet autori Stefan Çapaliku, nuk foli shumë në këtë ceremoni vetëm se falënderoi të pranishmit, duke shtuar se ka lidhje shumë të forta me Prishtinën.

“Ne jetojmë në një kohë ku njeriu çmendet lehtë”, ishte një nga fjalitë të cilën ai e theksoi në fjalimin e tij.
“ Siç ka qenë televizioni i rëndësishëm në vëllimin e parë, nëse libri do të ketë vëllimin e katërt, unë do te merrem me rrjetet sociale për të treguar se sa lehtë është të çmendësh përmes këtij rrjeti. Mendoj se luajtja jonë e përditshme do të duhej me qenë “O Zot na ruaj mendjen e kresë””, tha autori në promovimin e tij në Prishtinë./ KultPlus.com

Të ngjajshme