Takim me poeten Belfjore Qose për “Aurat e natës”

4 Nëntor, 2018 - 2:30 pm

Klubi Letrar “Scriptum n Sonus”, organizon takimin e tij të dytë më 4 nëntor ora 18:00.

Ky do të jetë një takim i hapur me poeten Belfjore Qose, rreth librit të saj “Aurat e natës”.

Te “Aurat e natës”, përmes imazheve dhe muzikalitetit krijohet një botë e magjishme. I gjithë vëllimi përmban 88 poezi të ndara në katër cikle. Autorja ka një gjuhë poetike të larmishme, të sprovuar dhe endet vazhdimisht në kërkim të mjeteve dhe formave që i japin identitet poezisë.

Takimi zhvillohet tek “E per7shme”, Rr. Elbasanit ndërsa hyrja është e lirë.

Agape

Ka një orë,
Kur zërat nuk i njohin më fjalët,
Kur mes dritës dhe errësirës ngrihet heshtja,
Kur trupat zbrazen nga pesha
Dhe bëhen flatra,
Kur fytyrat tona pluskojnë ujërave
Syhapura, gojëngrira, derisa fundosen
Në një lumë që merr me vete gjithë ç’kemi mbledhur.
Dhe atëherë,
Ndërsa jemi pa fjalë,
Pa kujtesë të mirë a të keqe,
Mnemosina na mëkon me një gotë të madhe,
Dielli plas si një vezë e kuqe,
Gjithçka përflaket – zjarr krijimi,
Të tjera jetë na rimenden,
Të reja a të vjetra.
Udhëtimi ynë sapo ka nisur:
Hedhim hapa në një tokë të panjohur,
Shkojmë drejt gostisë së muzave,
Me sy e vesh të uritur.
Në këtë orë
Rikthehemi fëmijë,
Palca jonë e butë e mbushet me tinguj,
Koka me dritë,
Tashmë e dimë
Ç’është agape.

Të fundit

Të ngjajshme