‘Tashma jam mësue me i shkapërcye ditët, pa u rrekë me hamendësue se cila ditë e javës asht’

14 Prill, 2020 - 5:58 pm

Nga Rozafa Shpuza

I dashtun ditar,

Nuk e di çfarë ditët asht sot. Shpija e vjetër ka kohë që ia ka mohue vedit luksin e të mbajtunit kalendar, anipse gozhda pret te i njati vend, si dashnorët e vonuem që kanë humbë orën e takimit. Tashma jam mësue me i shkapërcye ditët, pa u rrekë me hamendësue se cila ditë e javës asht. Herë-herë, dal në ballkon me shpresë se orgjitë e qejve të rrugës po shprishin caqet e liridaljeve dhe tellallët, që s’prajnë tue m’përditësue me fatalitetin e kësaj pranvere të mrrolun, po lajmërojnë fundin e çmendunisë.

Shkretia e rrugëve më krijon ankth dhe ma cytë kujtesën me bubrrue ndër përjetime thuejse të fashituna nga kujtesa…

Kujtoj kohen kur fillova punë si mësuese… Kaq e humbun mes malesh ishte shkolla ku nepja mësim, sa frika se edhe mue po vijshin me m’i pre u flokët si mësueses te nji film i kahershem bardhezi, më kishte kaplue e imagjinata jeme endte skenarë nga ma surrealët. Imagjinoja se gogolët po vijshin natën me gërshana të ndryshkuna…, ose po ia behnin në derë të klasës me dritare të kristalizueme prej acarit…, ose po shfaqeshin prej mbas gardhit të mpleksun me nji kod mitik, kur hapëzoja mbi borën e ngrime…

Si me dashtë me davaritë këto vegime të rrejshme, sot mora gërshanën dhe i lash dorë të lirë fantazisë…
I dashtun ditar,
Tash, fytyra tej pasqyrës buzëqesh, e unë nuk di me i diftue pse m’u desht me pritë kaq gjatë… / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme