Të enjten përurohet libri “Pikturë me fjalë” nga Lumnije Berisha, në fokus komunitetin e personave me aftësi të kufizuara

15 Qershor, 2021 - 3:34 pm

Libri ‘’Pikturë me fjalë’’ nga Lumnije Berisha vjen në zhanrin publicistik dhe përmban gjithsej 18 intervista me personalitete të ndryshme dhe tematikat që trajtohen në këtë libër në qendër kanë komunitetin e personave me aftësi të kufizuara, me ç’rast përurimi i tij bëhet të enjten në KultPlus Caffe Gallery duke filluar nga ora 19:00, shkruan KultPlus.

Ky libër është cilësuar si mjaft produktiv me të cilin do të shërbeheshin studentët, familjarët e këtyre personave, por pse jo edhe përgjegjësit e institucioneve përkatëse. Ndërsa, ndër të intervistuarit janë: Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, eksperti i arsimit gjithëpërfshirës Gëzim Rexha, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, psikologja klinike Mimoza Shahini, ish Avokati i Popullit Hilmi Jashari, dy nëna të cilat kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, etj.  

Lumnije Berisha u lind në Dardanë. Studimet për Gazetari i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kurse studimet Master në drejtimin “Komunikim Masiv dhe Gazetari”, i përfundoi në Kolegjin AAB, ku mori titullin MA me temën “Qasja e institucioneve dhe e mediave ndaj personave me aftësi të kufizuara në Kosovë”, e cila më pas u bë libri i saj i parë.

Që nga viti 2013 është autore e emisionit me tematikë sociale “Për një botë më të mirë”, në Radio Kosovë. Gjithashtu, një periudhë kohore e ka drejtuar edhe emisionin “Kaleidoskop”, po në Radio Kosovë, në të cilin ka trajtuar tema të ndryshme me personalitete të shquara shqiptare.

“Pikturë me fjalë”, është libri i saj i dytë. / KultPlus.com

Të ngjajshme