SBASHK: Vazhdon greva e përgjithshme në të gjitha institucionet arsimore të Kosovës

20 Janar, 2019 - 3:51 pm


Greva e përgjithshme në tërë sistemin arsimor  duke filluar nga çerdhet, institucionet e Arsimit Parauniversitar   dhe në Universitete do të  vazhdojë edhe në ditët në vijim deri sa institucionet e shtetit nuk përmbushin kërkesën legjitime e të drejtë të SBASHK për ngritjen e koeficienteve në Projektligjin e pagave për 30 % për të gjithë të punësuarit në arsimin e Kosovës.

SBASHK ka përcjellë me kujdes situatën në tërë Kosovën gjatë grevës dhe  fton institucionet qendrore e lokale që të shtojnë angazhimet për të përmbushur kërkesën legjitime të SBASHK-ut. Po ashtu i kujtojmë ata që të heqin dorë nga idetë për të bërë  presione ndaj grevistëve sepse do të përballen me ligjin e drejtësinë ngase greva jonë është legjitime dhe këtë të drejtë e mbron edhe ligji mbi grevat dhe Konventat ndërkombëtare.

Punëtorët e arsimit nuk ka mundur t’i frikësojë e t’i largojë nga misioni i tyre i shenjtë as pushtuesi serb me gjithë atë dhunë  në vitet e 90-ta. Punëtorët e arsimit nuk mund t’i  largojë as sot e gjithë ditën askush nga e drejta e tyre e garantuar me ligj për  të shprehur kundërshtimin e tyre përmes grevës legale  ndaj ligjit diskriminues e degradues të pagave.

Ne nuk po kërkojmë as me shumë e as më pak se të tjetër dhe prandaj do të qëndrojmë të palëkundur në angazhimet dhe përpjekjet  tona për të realizuar kërkesën e drejtë për ngritje se paku për 30 % të koeficienteve për të punësuarit në tërë sistemin arsimor.

Të hënën,me datën 21.01.2019, në ditën e gjashtë të grevës së përgjithshme, kryetari i SBASHK-ut Rrahman  Jasharaj bashkë me disa nga anëtarët e  Këshillit Qendror  Grevist do të qëndrojnë në  Mitrovicë për të bashkëbiseduar me grevistët në Çerdhen Gëzimi i ynë ne ora 9 e 10 minuta për te vazhduar pastaj në ora 9 e 50 minuta në SHFMU Migjeni. Po ashtu Kryetari Jasharaj do të vizitojnë e dhe komunën e Vushtrrisë për t’u takuar me grevistët në SHFMU 2 ne ora 11 e 10 minuta dhe Çerdhen “Foleja” ne ora 11 e 40 minuta, kurse nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala   me anëtarë të tjerë të Këshillit Qendror Grevist do të vizitojë  komunën e Obiliqit për të bashkëbiseduar me grevistët në Çerdhes “Rrita Jone” ne ora 9 e 10 minuta për të vazhduar pastaj ne Fushë Kosovë ne SHFMU “Selman Riza” ne ora 11:00. /KultPlus.com

Të ngjajshme