Të jesh “së prapthi” nuk mjafton…

7 Gusht, 2025 - 8:57 pm

Nga Anila Bisha

Të dokumentosh kohën përmes hollësive të ngjarjeve të jetuara, ndjehesh sikur je duke e rijetuar edhe një herë një jetë, ku shumë syresh as e kanë njohur as e kanë jetuar.

Histori të thjeshta njerëzore familjarësh, histori rrugicash, histori të shtjelluara në detaje që plotësojnë të tërën e një kohe, sa të zymtë, aq edhe të jetueshme me ngjarje pa fund.

Konteksti politik dhe social, detajet e pasojave të agjitacionit e propagandës vijnë kaq natyrshëm në veshjen e personazheve të thjeshta, pa bërtitur, të fotografuara deri në detaje.

Stili letrar rrëfimtar e ndihmon autoren të na tregojë të vërteta që nuk humbasin nga letërsia.

Hera-herës, ndërsa lexon personazhin gjithnjë së prapthi e gjen veten duke qeshur, apo duke gjetur personazhe të njohur e të panjohur, që i zbulon përmes të vërtetave politike e sociale të kohës.

Mes të vërtetave të kohës dhe personazheve imagjinare apo reale autorja zbulon skuta njerëzore dhe histori njerëzore që të bëjnë të ndihesh edhe vetë personazh i librit apo së paku të gjesh veten në histori përgjimesh e biografish, që siç thotë autorja sado t’i ngjyrosje ato mbeteshin çuditërisht të bardha.

Ky është një rrëfim i fotografuar në kaq shumë detaje dhe i shkruar pa censurë, me çiltërsi dhe shpërfillje për të mos trukuar asgjë. As veten jo, por e zbulon vajzën e lindur së prapthi deri në imtësi.

Kujtesa e Ritës ose më saktë e shkrimtares bëhet kujtesa e bashkëkohësve të saj.

Pena e Ritës vazhdon të jetë e pacenueshme nga paragjykimet që ka përjetuar në botime të tjera, ajo mbetet po aq rebele duke na konfirmuar se të jesh së prapthi nuk mjafton, të ndihesh e lirë dhe e paautocensuruar është çështja! Përtej kësaj ne njohim shkrimtaren që me letërsinë e saj pagëzon Ritën si ROMANCIERE.

Shënim. Ndërsa mbarova librin rastësisht mësova se është përkthyer edhe në greqisht. Ndërsa pashë kopertinën kuptova se “Të lindësh së prapthi” ka edhe një tjetër këndvshtrim, ka sytë e Ritës që shohin deri në skutat më të errëta të qenies njerëzore!

Të ngjajshme