“Të lexuarit të ndriçon shpirtërisht, dhe bën që të zbulosh pjesë të vetes që nuk ke ditur se ekzistonin brenda teje”

23 Prill, 2020 - 2:29 pm

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e të drejtave autoriale. Me këtë datë të vitit 1616, lidhet vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore: Shekspirit në Angli dhe Miguel de Cervantes në Spanjë, shkruan KultPlus.

Kjo datë shënohet në botë që nga viti 2003, ndërsa është pazgjedhur në vitin 1995 me qëllim të kontribuojë në mbarë botë për të drejtat e autorit duke inkurajuar të gjithë, e në veçanti të rinjtë për të zbuluar kënaqësinë e leximit. Kjo datë është edhe një thirrje për të rritur respektin për kontributet e pazëvendësueshme të autorëve dhe librit në progresin social dhe kulturor të njerëzimit. 

Në këtë ditë të shënuar për librin, shkrimtarja e njohur Ilire Zajmi ka shkruar disa fjalë mbi rëndësinë e librit. Ajo vlerëson se libri është një mjet për reflektim dhe na kujton se kush jemi, ku jemi dhe si erdhëm këtu.

Ilire Zajmi shkruan:

Leximi nuk ka të bëjë vetëm me zbulimin e gjërave të reja. Ai gjithashtu është një mjet për reflektim. Leximi na kujton kush jemi, ku jemi dhe si erdhëm këtu.
Nëse jeni një dashnor i librit, do ta përjetoni leximin si një magji që përtërin energjinë dhe lartëson gjendjen shpirtërore. Të lexuarit të ndriçon shpirtërisht, dhe bën që të zbulosh pjesë të vetes që nuk ke ditur se ekzistonin brenda teje. / KultPlus.com

Të ngjajshme