Të mërkurën, Arbër Selmani është folësi i radhës i BarCamp Ferizaj

14 Prill, 2020 - 4:55 pm

Këtë të mërkurë, me 15 prill, prej orës 18:00 Live në Facebook do të mbahet edicioni i 46 i BarCamp Ferizaj.

Këtë edicion, folës do të jetë Arbër Selmani. Ai është gazetar dhe poet nga Prishtina, e së fundmi e ka botuar librin ‘Kosova në 14 tregime kulturore’, ku janë përfshirë 14 tekste gazetareske që fokusohen në personalitete të ndryshme dhe objekte kulturore që kanë shënuar dhe shënojnë kulturën e Kosovës. Mes tregimeve janë edhe ato për Anton Çettën, Anton Pashkun, Mirko Gashin, Pranvera Badivukun, Istref Begollin, Armend Rexhepagiqin e Shaqir Hotin.

Selmani punon në Shtëpinë e Evropës dhe është fitues i disa çmimeve gazetareske. Në vitin 2018-të, Parlamenti Evropian në Bruksel ia ndau atij Bursën Sakharov për të drejtat e njeriut. Në këtë BarCamp ai do të flasë për librin e tij, për vazhdimin e këtij projekti gjatë këtij viti, për poezitë e tij, aktivizmin si dhe për punën në fushën e komunikimit.

Edicioni i së mërkurës do të fillojë në ora 18:00, e do të takohemi live në Facebook.

BarCamp Ferizaj është konferencë joformale që ka për qëllim diskutimin e hapur rreth çështjeve të ndryshme. BarCamp Ferizaj organizohet nga Iniciativa për Progres – INPO, dhe këtë radhë mbështetet nga U.S. Embassy Pristina, Kosovo.

Të ngjajshme