Të mësosh

24 Gusht, 2019 - 12:30 pm

Me kohën kupton dallimin e mezidukshëm të mbajtjes për dore dhe burgosjes së shpirtit;
mëson se dashuria s’barazohet me seksin dhe se të jesh me dikë, s’do të thotë të jesh i sigurt.
Dhe fillon të mësosh se…
puthjet s’janë kontrata e dhuratat s’janë premtime.
Dhe fillon të pranosh mposhtjen me kokën lart e syrin pishë.
Dhe mëson t’i shtrosh gjithë rrugët mbi të sotmen,
sepse trualli i së nesërmes është fort i dyshimtë për plane, 
se e di vetë e ardhmja si të shembet ashtu përgjysmë.
Dhe mëson se nëse vjen me tepri,
edhe vaktësia e diellit djeg. 
Ndaj e mbjell vetë bahçen tënde, vetë e stolis shpirtin tënd,
në vend të presësh të të sjellin lule.
Dhe mëson se mjerimi durohet,
se ti je vërtet i fortë,
se ti vlen vërtet dhe mëson e mëson… e kështu shkon çdo ditë.
Me kohën mëson se të rrish me dikë,
sepse të jep një të ardhme të mirë, 
do të thotë se herët a vonë do të rrekesh të kthehesh në të shkuarën. 
Me kohën mëson se vetëm ai njeri që arrin të të dojë me gjithë cenet e s’synon të të ndryshojë mund të të sjellë lumturi.
Me kohën mëson se nëse rri me dikë, 
që të përmbushësh vetminë tënde,
do të përfundosh të mos duash ta shohësh me sy e askush s’mund ta ndreqë këtë. 
Me kohën mëson se miqtë e vërtetë janë fare pak dhe kush nuk lufton për ta, herët a vonë,
gjen rreth veç miq të rremë.
Me kohën mëson se fjalët e thëna në zemërim e sipër lëndojnë gjithë jetën.
Me kohën mëson se kushdo mund të kërkojë ndjesë,
por ndjesën e ndjejnë vetëm shpirtrat e mëdhenj.
Me kohën mëson se nëse e ke lënduar keq një mik, 
me shumë gjasë, miqësia juaj s’do të jetë më e njëjtë. 
Me kohën mëson se sado të lumtur të jenë miqtë,
të qan shpirti për ata që i lë të shkojnë.
Me kohën kupton se çdo përvojë që ke jetuar,
me këdo, nuk përsëritet më.
Me kohën kupton se kushdo që poshtëron ose përbuz një tjetër qenie njerëzore, herët a vonë
do ta vuajë atë poshtërim a përbuzje dhjetëfish më fort.
Me kohën mëson t’i shtrosh rrugët mbi të sotmen,
se shtegu i së nesërmes nuk ekziston.
Me kohën mëson se të ngutesh të bësh diçka a ta bësh pahiri,
ka një tjetër fund, nga ai që prisje. 
Me kohën kupton se më e mira s’fshihej në të ardhmen, 
po në kohën që po jetoje në atë çast. 
Me kohën kupton se edhe kur je i lumtur me ata që ke rrotull, 
do të të djegë malli për ata që kanë ikur.
Me kohën mëson të falësh ose të kërkosh ndjesë,
të thuash që dashuron, të thuash që ke mall, të thuash se ke nevojë,
të thuash se do të jesh mik, që para se të shkosh në varr, se pastaj s’do të ketë më kuptim.
Por, fatkeqësisht, vetëm me kohën… /KultPlus.com

Të ngjajshme