Tekste të unifikuara për gjithë diasporën shqiptare

20 Dhjetor, 2018 - 10:30 am

Institucioni më i ri i ministrit të Shtetit për Diasporën, Qendra e Botimeve për Diasporën, mbajti dje mbledhjen e parë.

Gjatë këtij takimi, Këshilli Koordinues zgjodhi drejtoreshën, Persida Asllani, e cila aktualisht drejton Bibliotekën Kombëtare.

Në takim, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, anëtarët e Këshillit Koordinues diskutuan për strategjinë me të cilën do të funksionojë QBD, por vëmendja u ndal tek ngritja e një komisioni të veçantë për përzgjedhjen, shqyrtimin dhe miratimin e teksteve që do të botohen nga QBD.

Misioni për të cilin është krijuar QBD-së është botimi i teksteve të cilat do t’i shërbejnë Diasporës.

Sipas programit arsimor, QBD do të ndihmojë dhe do të përkrah zhvillimin e procesit mësimor të gjuhës shqipe në pjesëtarët e Diasporës duke kontribuar në ruajtjen e kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të Diasporës me vendin e origjinës.

Në mbledhje u diskutua edhe për hartimin e kurrikulave të përbashkëta me Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe komunitetin e shqiptarëve në Greqi, në mënyrë që fëmijët shqiptarë të mësojnë gjuhën shqipe me tekste të unifikuara për gjithë diasporën. /KultPlus.com

Të ngjajshme