Teuta Haxhimusa-Çerkini të premten promovon romanin e saj të parë

19 Mars, 2019 - 3:50 pm

Romani “Ëndrra e Anës” nga autorja Teuta Haxhimusa-Çerkini, do të promovohet këtë të premte në  në teatrin “Adriana Abdullahu”, në Ferizaj, shkruan KultPlus.

Ky është romani i parë i autores Teuta Haxhimusa- Çerkini. Ajo tregoi për KultPlus se ky roman përmban një rrëfim për traumën e papërpunuar të popullit të Kosovës.

“Rrëfimi i Anës është rrëfim për traumën e papërpunuar të popullit të Kosovës, për ecjen e vrullshme pas luftës, por edhe për harrimin, mos-trajtimin, mbylljen e përjetimeve të kosovarëve. Ana  ecë suksesshëm pas luftës drejt synimeve të saj, por injoron një ëndërr që i përsëritet që nga paslufta. Miqtë e saj ndërkombëtar gjatë një vizite në shtëpi të saj e zbulojnë se Ana kishte një dhomë muze, që kurrë se kishte përmendur. Muzeu i saj ishte pasqyrim i ëndrrës traumatike”, tregoi autorja Haxhimusa- Çerkini.

Ajo tutje shpjegoi se  dhoma muze simbolizon përjetimet e ndrydhura individuale dhe kolektive të Kosovës, të cilat pavetëdijshëm, vijnë të maskuara në ëndrrën e Anës.

“Vetëm kur ajo i rrëfeu të gjitha, me ndihmën e miqve të saj arriti ta kuptojë lidhshmërinë dhe mesazhet e ëndrrës, u vetëdijesua. Por nuk ishte vetëm Ana që u vetëdijesua. Miqtë e Anës kishin punuar me vite të tëra në Kosovë, por vetëm gjatë vizitës një javëshe arrijnë ta kuptojnë dhe njohin jo vetëm Anën, por arritën ta kuptojnë ajsbergun e traumës dhe forcës së gjithë kosovarëve”, shprehet tutje autorja.

 “Rrëfimi i Anës është rrëfimi i secilit kosovar”, përfundon Haxhimusa- Çerkini.

Promovimi i librit bëhet këtë të premte, duke filluar nga ora 18: 00 në Teatrin “Adriana Abudllahu” në qytetin e Ferizajit. Nga e hëna librin mund ta gjeni edhe në Librarinë ‘Dukagjini’./ KultPlus.com

Të ngjajshme