“The city is everywhere” rrëfen për qytetin e tjetërsuar e hapësirën e mohuar publike

26 Dhjetor, 2018 - 10:16 pm

Gili Hoxhaj

“The city is everywhere” apo “Qyteti është kudo”, sonte erdhi si libër në
Prishtinë. Ai tashmë mund të jetë në duart e gjithë lexuesve. Ata që nuk e kanë parë Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venedikut, punën artistike që Eliza Hoxha e shpalosi atje, tashmë mund ta shohin mes faqeve të librit “The city is everywhere”. Libri përmes fjalëve e fotografive,  vizualizon rezistencën e shqiptarëve të Kosovës në vitet e 90-a, atëherë kur ata në kohë okupimi shndërruan hapësirën e tyre private në hapësirë publike, si formë e kompensimit të hapësirës së mohuar publike. Ky libër tregon se në kohën e represionit nga regjimi i Millosheviqit, shqiptarët ishin larguar nga institucionet shtetërore, me përkrahjen nga diaspora e Shqipëria, ata krijuan sistemin paralel të arsimimit, shëndetësisë e kulturës, duke mos e llogaritur pronën e tyre më si private. Puna artistike e gati një viti nga Eliza Hoxha, tregon se si shtëpitë e shqiptarëve në Kosovë, u shndërruan në shkollë, restaurant, galeri,  zyrë e shtëpi në të njëjtën kohë. Eliza Hoxha, këtë libër e sjell në pikëpamjen e tri gjeneratave, atyre që kanë lindur shumë para kësaj kohe, atyre që veçse e kanë jetuar rininë në këtë kohë dhe atyre që kanë lindur pasi ajo ka kaluar. Duke e parë rëndësinë e kësaj periudhe, tashmë është planifikuar që çdo shtëpi në të cilën janë zhvilluar aktivitete të tilla, të vihet një shenjë që i identifikon ato.

Eliza Hoxha thotë se ka zgjedhur ngjarjet e viteve të 90-a pasi që e sheh të rëndësishme rikthimin e asaj gjendje në të cilën shqiptarët kanë kaluar. Atëherë kur ka mbizotëruar ideja e shkollave-shpija, ideja e paralelizmit, ideja e një qyteti të dyfishtë, një qyteti i cili për njerëz të ndryshëm që kanë jetuar në të nuk ka qenë i njëjtë.

“Pastaj, aspekti i vullnetarizmit dhe I mobilizimit social që sigurisht është bërë me idenë e momentit kur ne kemi qenë si viktimë por që mbas luftës ka qenë po s’ka qenë prezent si përpara luftës, edhe ajo është një brengë që mu më preokupon vazhdimisht, unë mendoj që duhemi me u kujtu edhe në kohë të mira me qenë pranë njëri tjetrit edhe me e ndihmu me aq sa mundemi procesin e shtet-bërjes”, u shpreh artistja shumëdimensionale, Eliza Hoxha.

Tutje Hoxha tha se e ka intriguar shumë fakti se si qyteti gjatë viteve të 90-a ka marr një dimension tjetër, atëherë kur ideja e përkatësisë ka filluar të zhduket, kur kufiri midis privates e publikes veçse është shkrirë, duke prodhuar një qytet krejtësisht tjetër.

“Ajo që ka qenë intriguese është sajo se çka nënkupton hapësira e lirë në Kosovë, hapësira e lirë e që është krijuar në kohë okupimi e që ne e kemi trajtuar në paviljonin e Kosovës, e që janë këto oazat ose satelitët hapësinor, që I themi ne, shtëpitë e vogla që e kanë hapur derën për me e përqafu sferën publike”, tha tutje Eliza Hoxha në fjalën e saj.

Ky libër sjell copëza rrëfimesh të akterëve të ndryshme që e kanë përjetuar periudhën e viteve të 90-a në forma të ndryshme, kush si fëmijë, kush si i ri, kush si student, kush si bartës i familjes, ose kush si pjesëtar I proceseve politike apo edhe atyre historike dhe aspekteve ekonomike. Hoxha tregoi se kanë vendosur që në vend të katalogut, të botojnë librin pasi që libri si platformë arrin të sjell ide e përjetime të ndryshme qoftë nga aspekti personal apo dhe interpretimi i momenteve ose situatave të caktuara. Si i tillë, libri mund të shërbejë si një bazament për ata që duan ta hulumtojnë periudhën e viteve të 90-a.

“Ky libër besoj që ka me shërby grupmoshave të ndryshme edhe gjeneratave të ndryshme dhe akterëve të ndryshëm me gjetë një copë të vetën edhe një kujtim të tyre në vitet e 90ta”, u shpreh tutje artistja Hoxha.

Në promovimin e këtij libri që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, të pranishmëve iu drejtuar dhe ministri i kulturës, Kujtim Gashi. Gashi theksoi se promovimi i librit përmbyllë një procesi tejet të rëndësishëm, një storie të suksesshme të shtetit të Kosovës, përfaqësimin e saj jashtë vendit në një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës e të artit në botë, pjesëmarrjen në Bienalen e Vendikut 2018.

“Kosova ka dhënë shembullin më të mirë të suksesit në bërjen e diplomacisë kulturore në Venedik. Me botimin e librit me temën e prezantimit në Bienale po e lëmë trashëgimi edhe një libër ku gjerësisht trajtohet tema e hapur nga ne për rezistencën kolektive të shoqërisë shqiptare në Kosovë në vitet më të vështira të okupimit, pra vitet 90. Kjo ka posaçërisht rëndësi edhe për gjeneratat e reja që ta njohin më mirë vendin e tyre dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi”, u shpreh Gashi në fjalën e tij.

Jehona Shyti, komisionere e pavijonit e Republikës së Kosovës u shpreh se është ndjerë e nderuar që ka udhëhequr procesin e bienales së Venedikut , duke u bërë dëshmitare e një suksesi të madh të Kosovës.

“Unë paraqitjen e Kosovës e shoh në dy dimensione, e para prezantimi i suksesshëm sepse edhe kritika ndërkombëtare e ka cilësuar si një nga pavijonet më të mira të prezantuara dhe kemi arrit të bëjmë një përfaqësim të mirë të shtetit dhe të kemi një imazh të mirë të Kosovës sepse edhe pse si vend i vogël i kemi bërë përfaqësim të mirë Kosovës dhe e dyta si një faqe e re për të ndërtuar kontributin e shoqërisë kosovare për të luftuar okupimin dhe të drejtat që kontributi i secilit ka qenë që mos me humb gjeneratat tjera”, u shpreh Shyti.

Eliza Hoxha ka prezantuar Kosovën në edicionin e 16-të të Bienales së Arkitekturës në Venedik 2018./  KultPlus.com

Të ngjajshme