Themelohet klubi letrar “Dritëro Agolli”

14 Tetor, 2017 - 1:02 pm

Për nderë të 86 vjetorit të lindjes së Dritëro Agolli, të premten është organizuar manifestimi letrar “Dita e Agollit” edicioni i parë, ku është themeluar edhe klubi letrar me emrin “Dritëro Agolli” në Klinë. Ky klub që synon t’i grumbulloj rreth vetës krijuesit e këtij vendi.

Prezantimin e klubit letrar “Dritëro Agolli”, e ka bërë përgjegjësi i klubit Mahir Morina, ku paraqiti idenë e themelimit të këtij klubi dhe objektivat të cilat i synon.

“13 tetori i vitit 1931 do sjellte në jetë Dritëro Agollin, sot mbushën 86 vite nga ajo kohë, por kjo datëlindje na vije pa Agollin, por na sjell një lindje të re me emrin e njëjtë, Klubin letrar ‘Dritëro Agolli’. Kujtimi i Dritëro Agollit është ndjesi pozitive qe na kthehet si vetëdije kolektive dhe obligim qytetar e kulturor. Po themelojmë Klubin Letrar ‘Dritëro Agolli’ në emër të kësaj ndjesie e vetëdije, për ta filluar kryerjen e obligimit moral dhe intelektual për figurën dhe veprën kolosale të Dritëroit tonë të përjetshëm”, tha Morina.

Ai ka treguar se klubi letrar përbëhet nga 20 anëtarë të dëshmuar në fushën e letërsisë, studimeve dhe artit letrar, poezisë dhe prozës.

“Klubi letrar, përveç organizimit të këtij manifestimi letrar qe synon të mbetet tradicional, dhe kontributit në manifestimin kulturor ‘Ujëvara Fest’ po ashtu tradicional që mbahet të Ujëvarat e Mirushës, do organizoi edhe ‘mbrëmje poetike’ të cilat do prezantojnë shkrimtar të ndryshëm nga e gjithë harta shqiptare e letërsisë. Klubi letrar synon ta ketë dhe shtëpinë botuese, në kuadër të kësaj përveç botimeve të librave të rinj, ribotimin e titujve të vjetër e pse jo dhe ndonjë përkthimi, ka për qëllim të nxjerr dhe një revistë kulturore periodike, e cila do prezantonte kryesisht punën e shoqatës dhe do ishte mundësi bashkëpunimi me vende tjera dhe prezantimin e talentave të rinj”, ka thënë Mahir Morina.
Për karakterologjinë njerëzore dhe letrare të Agollit foli profesori Imer Pantina, i cili është edhe anëtar i këtij klubi letrar.

Në këtë ambient artistik gjeti vend edhe kënga Poqari nga Ilir Shaqiri, e cila është tekst-poezi e Agollit

Me poezi për Agollin u prezantuan Vilson Culaj dhe Monika Palushaj, ndërsa me një fjalë përshëndetës u paraqit krijuesi letrar Maxhun Osmanaj nga Istogu. / KultPlus.com

Të fundit