“Tipografia shqiptare 1555-1912” i Yll Rugovës promovohet në Prishtinë dhe Tiranë

20 Shtator, 2022 - 2:30 pm

Libri “Tipografia shqiptare 1555-1912” i Yll Rugovës do të promovohet në Prishtinë dhe Tiranë në muajin tetor, përcjellë KultPlus.

Dy vjet izolim të COVID-19 kanë liruar hapësirë për një hulumtim të veçantë mbi historinë e shkronjave, shtypshkronjave e botimeve shqiptare. Histori që mbase fillon edhe para botimit të Mesharit në vitin 1555, me inkunabulat e familjes Vitali, e që na është dashur ta ndërpresim më 1912 kur numri i shtypshkronjave dhe shtypshkronjësve shqiptar shumëfishohet.

Në libër diskutohet, përveç tjerash, për germat rotunda të Nichola Jensonit që përdoren te Meshari, për tipshkronjat e Alois Auerit të alfabeteve origjinale shqipe të Todhrit e të Veqilharxhit në mesin e shekullit të 19të, për gdhendjen në çelik të alfabetit të Stambollit nga vetë Sami Frashëri, e për shtypshkronjën prodhimtare të Kristo Luarasit. Kërkimi trajton të gjitha shtypshkronjat a shtypshkronjësit që kanë vepruar në viset shqiptare, e të gjithë librat në gjuhën shqipe nga kjo periudhë.

Promovimi do të mbahet më datë 2 tetor në Prishtinë, në Defy Them / Qendrën për Kulturë Alternative, ora 14:00.

Pak ditë më parë libri është botuar në formatin e-book nga shtëpia botuese Berk në Tiranë. Ndërkohë, më 6 tetor libri do të promovohet edhe në Tiranë te Berk, ora 17:00. / KultPlus.com

Të ngjajshme