#Tirana Lexon 2017, me 26 tetor dhe jo vetëm në Tiranë

20 Tetor, 2017 - 10:10 pm

#Tirana Lexon 2017 vjen si një maratonë leximi për herë të tretë në kryeqytet dhe do të organizohet më 26 tetor, paralelisht në disa vende në Tiranë, Kamëz, Vorë. Ky aktivitet i paraprin Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë (TILF) 26-28 Tetor 2017 (www.literaturefest.com)

Në disa skena kulturore do të mblidhen dashamirës të librit dhe shkrimtarë e përkthyes të njohur shqiptarë, të cilët do të lexojnë nga librat e tyre të preferuar si dhe do të përcjellin emocionet gjatë procesit të të shkruarit. Për ta bërë sa më të aksesueshëm nga publiku i gjerë, leximet do të zhvillohen në ambiente publike, kafe letrare, biblioteka etj.

Pjesëmarrësit do të ftohen nëpërmjet rrjeteve sociale të ndjekin të gjitha aktivitetet dhe të lexojnë pjesë të zgjedhura sipas dëshirës. Në median online do të ketë njoftime, harta me vendet dhe oraret ku dhe kur do të zhvillohen leximet. Maratona e leximit do të përshëndetet nga artistë e personazhe të njohur të ekranit shqiptar. Ata do të japin mesazhet e tyre dhe do të bëjnë thirrje që brezi i ri të lexojë më shumë, në një kohë kur teknologjia ka ndryshuar jo vetëm mënyrën se si jetojmë dhe punojmë, por edhe se çfarë lexojmë.

Lexime maratonë dhe të ftuar në kafe-libraritë dhe qendrat kulturore: “Salla gjermane e leximit, Biblioteka Kombëtare”, “Friend’s Book House”, “Hemingway”, “Destil”, Biblioteka Kamëz, Gjimnazet “Çajupi”, “P. N. Luarasi”, “Sami Frashëri”, Gjimnazi Vorë, Tiranë, më 26 tetor 2017.

#TiranaLexon2017 synon ta kthejë leximin në një ngjarje, ndodhi dhe përjetim duke u bazuar në shijet individuale. Shtrirja e këtij aktiviteti të veçantë leximesh në hapësira të ndryshme, do të ndikojë në përhapjen e një fryme sa më dashamirëse ndaj letërsisë dhe procesit të leximit si një ndër hapat më të rëndësishëm të funksionimit të letërsisë.

Kush vjen me një libër, ikën me dy libra!

Kjo nismë, në bashkëpunim me platformën online Bukinist.al, vjen në #TiranaLexon2017 si një mundësi për të nxitur të rinjtë të lëvizin me libra nëpër qytet. Kush vjen në takimet tona letrare me një libër me vete, kthehet në shtëpi me një libër tjetër dhuratë.

#Tirana Lexon 2017 është një projekt i IDMC-Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë në partneritet me Bashkinë Tiranë. / KultPlus.com

Të ngjajshme