‘T’isha një lule’

10 Shkurt, 2021 - 6:25 pm

Musine Kokalari

….i kërkoj vehtes të jem kështu, të jem ashtu; si kjo dhe si ajo dhe më së fundi e gjeta…T’isha një lule are, e vogël dhe me erë. Të çelja në prandverë dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë t’ime.T’isha një lule vjollce në mes te ferrave. Të qëndronja e fshehur, e pa dukur dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të rinjve. Prej frike, të larguar prej njerëzis do t’më këputnin, do të dhurohesha te njeri-tjetri në shenjë kujtimi. Do ndëgjonia se ç’flitnin, fjalët e bukura dhe plot shpresë. Do t’më thurrnin dhe mua disa vargje të lehta për hir të dashuris.Nje trendafil i egër te mbinja mbi varrin e ndonjë të riut. Te mirrnja pjesë në lotët që do të derdhnin mbi atë tokë të ftohët.Karafil i kuq të lulzoja dhe me kujdes te vaditesha…një ditë të vendosesha në jakën e palltos. Do të shëtitnja dhe unë rrugët e qytetit, do të kuptonja jetën djaloshare dhe të gjithë do të vështronin atë dhe mua; .. që të dy qenkan të bukur do të thoshin./ KultPlus.com

Të ngjajshme