Tito në letërsinë shqipe në Jugosllavi

19 Qershor, 2018 - 4:52 pm

Nga Ibrahim Rugova
Prishtinë, Dhjetor 1977

Duke punuar në këtë temë, vetvetiu m‘u imponua problemi i një vështrimi teorik të çështjes, apo ndoshta, po ashtu, vetvetiu m‘u imponua edhe nga interesimi im teorik, që po e formuloj në formë pyetëse – tezë: përse shkrimtarët dhe artistët, për objekt të veprave të veta i marrin shëmbëlltyrat e kohës së vet, dhe madje përse në mënyrë të vazhdueshme! Në vijim do të përgjigjem me shembullin e Titos dhe me praktikën krijuese të letërsisë sonë.

Që në fillim mund të thuhet se shëmbëlltyra e Titos është mjaft e pranishme në letërsinë shqipe në Jugosllavi, do të thotë në të gjitha format e krijimit letërar. Me këtë rast çështjen e pranisë duhet ta vështrojmë dhe ta pranojmë në kuadër të procesit të difirencimit që ekziston midis formave letrare, e cila gjë i tregon dhe i vërteton mundësitë dhe validitetin e formave të veçanta ndaj objektit. Ky shpjegim teknik letrar na sjell në përfundimin se prania e objektit realizohet përmes shkallëve të ndryshme, po me funksion e me qëllim të njëjtë e të përbashkët. Po i theksojmë këto ndryshime të formave në prosede, në metodat e krijimit. Në prozë, vërtetë në roman dhe në tregim, fytyra e Titos dhe prania e tij identifikohen plotësisht dhe nënkuptohet me të drejtë me ngjarjen e madhe të revolucionit të armatosur, të cilën ai e vuri në lëvizje dhe çka është e arsyeshme artistikisht dhe jetësorisht. Nuk del fare si personazh i drejtpërdrejtë në mënyrë deklarative, po përmes frymës së veprës – aksionit – veprimit të tij, të njerëzve që bëhen realizues të ideve dhe të ndërmarrjeve të veprës së tij. Kjo ka të bëjë me faktin se shkrimtarët duan që fytyrën e tij ta realizojnë artistikisht, natyrshëm, ashtu çfarë është e madhe në realitetin historik dhe në realitetin bashkëkohës.

Pra, vetëm ajo që jepet artistikisht mirë e me vlerë, është ekuivalente e reales, vërtet vetë realja, e që merret si një nga çështjet – çelës, në të cilat sprovohet arti, e edhe letërsia, në rastin kur ka të bëjë me fytyra të njohura historikisht dhe bashkëkohësisht, siç është Tito me këtë rast.

Ndërsa po e shqyrtojmë këtë çështje duhet të përmendim një të vërtetë tashmë të njohur e të pranuar në historinë dhe filozofinë e artit se, shkrimtarët dhe artistët, si idhtarë të përhershëm të njeriut, të lirisë së tij, te fytyrat historike të jetës sociale – revolucionare, ndalen vetëm atëherë, kur në to, brenda tyre, pos tjerash gjejmë figurën- njeri të plotë, i cili punon dhe vepra e tij i kushtohet plotësisht njeriut, mirëqenies së ekzistencës së tij. Ky shpjegim teorik letrar, e njëkohësisht filozofik bashkëkohës e vërteton dhe e qartëson fortë mirë interesimin e shkrimtarëve tanë për Titon, sepse tek ai gjetën, zbuluan njeriun e vërtetë me të gjitha cilësitë që e karakterizojnë veprimin e madh njerëzor, veprimin e përjetshëm. Më shkurt, artistët ndalen tek ata që i zgjerojnë hapësirat e realizimit të njeriut në jetë dhe në vepër, ashtu siç bëri Tito. Pra, njerëzit e tillë, që shkenca i shpejgon si gjenialë, krijojnë vazhdimisht hapësira të reja për njeriun, pra janë krijues e jo dogmatë e statistë në skenën historike e shoqërore, sepse ata, me aftësi të rrallë i shtrojnë dhe i zgjidhin kërkesat dhe nevojat e kohës në të cilën jetojnë e veprojnë, do të thotë prekin në pikat neuralgjike vendimtare të shoqërisë njerëzor duke i vënë njerëzit në lëvizje të orientuar, të drejtë, në aksion.

Përveç kësaj, shkrimtarët tanë e përjetësojnë fytyrën e Titos, sepse në të që me kohë kanë gjetur me të vërtetë realizimin e vet nacional, social e intelektual, do të thotë tri elementet qenësore për ekzistencën individuale e kolektive. Nëse pranohet e vërteta e thënë metaforikisht se artistët-poetët janë antena të shoqërisë, atëherë mund të nxjerrim një konstatim se, shkrimtarët tanë, në vizionin dhe në praktikën revolucionale të Titos, gjetën një nga idealet e veta më të qëlluara dhe sinjalizuan në mënyrë arstitike vlerën e vërtetë të pamohueshme të tij.

Përderisa në prozë është i pranishëm, në radhë të parë, në kuadër të mundësive dhe të efekteve artistike të realizimit të zhanrit, pra në mënyrë të plotë që na e sinjalifikojnë “Ditari…” i F. Hoxhës një pjesë e prozës së H.Sylejmanit dhe të Sinan Hasanit, në poezi, e cila konsiderohet si zhanër dhe formë solemne më komunikative, fytyra e Titos ngritet vazhdimisht, duke u bërë objekt qëndror-poetik, në dritën e plotë të veprës së tij të madhe. Kështu, poezia e kuptuar si formë më komunikative, ka një aftësi dhe fuqi të jashtëzakonshme për identifikim apo për simbolizimin e veprave të mëdha në histori dhe në bashkëkohësi, të vizioneve të tyre të pandërprera e thelluese.

Thënë historikisht, fytyra e Tito në poezi bëhet objekt i rëndësishëm që në krijimet e para gjatë Revolucionit të armatosur dhe vazhdon deri në ditët më të vonshme. Ajo nuk qe vetëm inspirim, po edhe realizim i poezisë dhe i artit në përgjithësi.

Në një pjesë të mirë të poezisë ku poezitë kushtuar Titos nga Esad Mekuli, Mehmet Hoxha, Tahir Jaha, Latif Berisha, Enver Gjergjeku e të tjerë, shfaqet një komunikim i drejtpërdrejtë me të dhe merret me të drejtë në kuptim të gjerë të krijuesit të madh. Për shembull të gjithë këtë e shëmbëllen më së miri poezia e E.M, “Ty që je liria jonë”, ku Tito shfaqet si simbol i lirisë dhe i realizimit kombëtar e social të shqiptarëve, krahas me atë të kombeve dhe të kombësive të tjera.

Në disa poezi të tjera siç janë “Flamur shekujsh” (Ali Podrimja), “Dy ditëlindje” (Rrahman Dedaj) dhe “Flet Tito” (Mirko Gashi), kemi të bëjmë me një përpjekje tjetër të poetëve tanë, me atë që përmes prosedeut poetik të simbolizimit fytyra e Titos të marrë kuptim universal të gjithëkohshëm, si simbol i një kreatori për të mirën e përgjithshme, se vepra e tij është model real, që hyn në fondin e përgjithshëm të njerëzimit.

Përveç identifikimit, si kusht i domosdoshëm i fuqisë poetike dhe i bindshmërisë së saj, në poezinë e përmendur të Ali Podrimjes, kemi simbolin flamur, i cili simbolizonte, emblemën e ekzistencës kombëtare dhe atë shoqërore, të vendosur në përjetësimin e flamurit që qëndron në hapësirat kohore të shekujve të historisë. Ndërsa me simbolet e tjera si Diell, Bukë, Qiell, poeti simbolizon tri kushte të rëndësishme e të domosdoshme të ekzistencës, të cilat me këtë rast, nuk po i përkthej në gjuhën teorike.

Në vjershëm e Mirko Gashi, “Flet Tito”, e cila përmes theksimit të aktivitetit të ligjërimit të Titos, që gjithmonë i ka në pajtim fjalën dhe aksionet, poeti simbolizon qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e tij në të gjitha momentet e kohës. Kështu simboli i tij qëndror, Kepi i Shpresës së Mirë (Tito) del si një Parim i Shpresës dhe i realizimit real, siç do të mund ta shpejgonim me filozofinë e paraqitur në parimin e Shpresës të E.Blochut.

E këtillë, fytyra e Titos shfaqet edhe në letërsinë për fëmijë, e që do të mund të ishte objekt i një studimi të veçantë. Tito si simbol i së Mirës, i heroit, i mësuesit dhe i edukuesit trajtohet me sukses në veprat e Maksut Shehut, Rifat Kukajt, Agim Devës e të tjerëve.

Në fund, me qëllim që të përforcojë edhe me përgjigjen lidhur me pyetjen që shtrova në fillim të kësaj paraqitjeje po shtoj edhe këtë se, mesazhi simbolik i artistit, i poetëve dhe shkrimtarëve tanë në përgjithësi, është plotësisht adekuat me mesazhin e veprës së Titos, i cili sot gëzon një unanimitet të jashtëzakonshëm e të përgjithshëm, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit, çfarë e gëzonte vetëm Lenini. Adekuatësia e këtij mesazhi, pos momenteve të tjera që i përmenda më sipër, ka të bëjë edhe me të njohurën teorike e historike se, poetët dhe revolucionarët e mëdhenj i lidhin vizionet dhe idealet më të thella për njeriun, pra bëhet bashkudhëtarë në rrugën e infinitumit për të mirën njerëzore. Këtë lidhje midis artistëve dhe revolucionarëve, në mënyrë më të natyrshme dhe të paimponuar, pra të dalë nga situata reale historike, e gjejmë në historinë më të re kur është fjalë për fytyrën e Leninit. Le t’i kujtojmë me këtë rast Majakovskin, Bllokun, Jeseninin e të tjerë. Të njëjtën lidhje, po ashtu të natyrshme dhe të fuqishme, e gjejmë kur e vështrojmë fytyrën e Titos në veprat artistike, e sidomos në ato poetike.

Në përfundim e sipër të theksojmë edhe një fakt tjetër mjaft të rëndësishëm se Tito, duke qenë vazhdimisht në krye të shoqërisë sonë, krijoi një liri të vërtetë arti e krijimi në kuptim të realizimit të plotë të lirisë, çfarë nuk gjendet në ndonjë vend tjetër socialist, e cila ishte e pranishme vetëm në kohën e Leninit, kurse te ne kjo u bë parim shoqëror e kulturor.

Përveç kësaj, shkrimtarët tanë e përjetësojnë fytyrën e Titos, sepse në të që me kohë kanë gjetur me të vërtetë realizimin e vet nacional, social e intelektual, do të thotë tri elementet qenësore për ekzistencën individuale e kolektive. Nëse pranohet e vërteta e thënë metaforikisht se artistët – poetët janë antena të shoqërisë, atëherë mund të nxjerrim një konstatim se, shkrimtarët tanë, në vizionin dhe në praktikën revolucionare të Titos, gjetën një nga idealet e veta më të qëlluara dhe sinjalizuan në mënyrë artistike vlerën e vërtetë të pamohueshme të tij.

Të ngjajshme