Rrahja për gazeta

23 Qershor, 2019 - 7:00 pm

Nga: Bujar Meholli

Tregim satirik

Më njoftuan se artikulli im është botuar në njërën gazetë. U gëzova.
Rrugës ende s’mund t’i hapja sytë mirë, pas gjumit. U futa në kafenenë përballë dhe pikasa raftin me të përditshmet tona, në cep të kafenesë.
Të gjitha gazetat ishin aty. Njerëzit po fillonin të vërdalloseshin. Unë po bëja sehir.
Kur u ngrita dhe bëra kah rafti, u ndesha me një djalë trupmadh që mbante lugën e kuqe të kafesë në gojë dhe një cigare mbas veshi. Mesa dukej, tipi mendonte se ashtu ishte më “dandy”.
I kapi përnjëherësh të gjitha gazetat, dhe u drejtua kah grupi i shokëve, të cilëve ua shpërndau ato, porsi cigaret e lira që u shpërndahen nëpër dasma, dasmorëve. 
U ula. Prita. U sfilita. Ndërkohë ata gajaseshin dhe flisnin me të madhe, gazetat e zhubravitura dergjeshin në tavolinë njëra mbi tjetrën.
M’u sos durimi. Bëra kah ta.
— Ej, djema, a kini mirësinë të ma jepni aksh gazetën? 
Më panë me çudi. U pre e qeshura. 
— Kush je ti? ma bëri njëri me zë të thatë. M’u drejtua me “ti”, a thua se kishim ruajtur bagëtitë prej kohësh.
Tjetri vazhdoi pa e prishur terezinë.
— Edhe sikur të ishe Jezu Krishti a Muhamedi, s’do të të lejonim të na e prishje leximin e gazetave, në mëngjes. Tani, çporru nga këtu!
Kjo “çporru” me ç-në e theksuar gërditshëm, më acaroi.
Kapa gazetat vetëtimthi. Më shtyu njëri, pastaj më goditi duke ma shqyer paksa buzën. Tipi “dandy” më ra në shpinë. Mora filxhanin dhe ia vesha turinjëve. Cigarja i ra në tokë. Nga rrëmuja, u derdh ca kafe mbi gazetën ku kisha botuar. 
Por, e mora në duar megjithatë dhe u ula në poltronin tim karshi për ta shfletuar.
Më pikonte gjaku nga buzët.
Pas pak ikën duke qeshur, dhe “dandy” duke vënë në pah dhëmbët ngjyrë mjalti, më tha:
— Herave tjera, kujdes! Mos na prek në gazeta!

E pashë më fund artikullin tim, mbi të cilin ranë ca pikla të vogla gjaku.
Kamerieri më ish afruar sakaq, dhe kur ngrita kokën pashë se mbante një palomë.
— Eh, shoku — më tha, u ngatërrove me tipa që e kanë pikë të dobët gazetën.
E shikova çuditshëm. Ç’thoshte ky?
— Këta, (kanë pozita të larta, por s’më kujtohet saktë çfarë pozitash kanë, tha!) vinë këtu mëngjeseve, i marrin gazetat dhe i vendosin mbi tavolinë bashkë me kafetë, mandej llafosen e ikin duke bërë zhurmë pa i kthyer në raft më.
Thuajse gjithë ditën janë në pauzë!
“Ai dandy, mbase është farë zyrtari”, bluaja në mendje.
— Por ju mos u brengosni, u nxitua të më thotë. Do ta ruaj nga një kopje për ju, nëse pas kësaj që ndodhi sot, vendosni të na vini përsëri! 
Dhe, iku për t’ju bashkuar grupit të kamerierëve që pastronin rrëmujën.
Me ta mbaruar leximin, pata ndjenja të përziera. M’u duk vetja si aktor i komedive burleske; të them të drejtën më vinte të qeshja me të madhe, dhe njëkohësisht të qaja me dënesa…/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme