Tryezë shkencore për Ymer Jakën, u konsiderua model i atdhetarit dhe studiuesit

12 Dhjetor, 2019 - 2:07 pm

Xhemile Hysenaj

Nuk ka shumë ditë që janë bërë plot 10 vite që kur profesori dhe studiuesi i mirënjohur, Ymer Jaka është ndarë nga jeta, shkruan KultPlus.

Për të nderuar kujtimin dhe veprën e tij, Dega e Letërsisë në kuadër të Institutit Albanologjik ka organizuar një tryezë shkencore, ku u trajtua veprimtaria shkencore dhe intelektuale e Ymer Jakës.

Për të nderuar figurën e Jakës, nga Tirana kishte ardhur Tefta Cami, e cila në vitet 76-78′ ishte ministre e arsimit dhe kulturës në Shqipëri, duke bërë kështu që të kishte marrëdhënie të mira me të ndjerin Ymer Jakën, dhe jo vetëm, ajo tregoi se ata ishin bashkëpunëtore në disa projekte që kishin qëllim çështjen kombëtare. ”E kam parë e vlerësuar të ndjerin, profesorin Ymer Jaka, të cilin e kam quajtur mik, vëlla, shok e bashkëluftëtar. Unë kam qenë me fat që si ministre e arsimit dhe e kulturës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, të isha pjesë e projektit të madh kombëtar të Shqipërisë, për afrimin e shqiptarëve këtej Drinit, me atdheun amë”, shprehej ajo para të pranishmëve.

Ndër të tjerash, ajo tha se Ymer Jakën e konsideronte si model të atdhetarit dhe studiuesit, për të cilin pohonte të kishte pasur një strategji të qartë në punën e tij të cilat ishin në interes të të gjithë shqiptarëve që përfshihen në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, duke përfshirë shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të zi si dhe të Luginës së Preshevës e të Bujanocit.

”Ymer Jaka rrezatonte modelin e atdhetarit dhe të studiuesit skrupuloz që zgjodhi e trajtoi temën kombëtare, këtë e orientonte dhe e kërkonte edhe nga elita shkencore e studiuesve në Kosovë”, vazhdoi tutje ajo.

E për të nderuar kujtimin dhe veprën e Ymer Jakës, i pranishëm ishte edhe ish drejtori i Institutit Albanologjik, Fazli Syla. Ai tregonte se si bashkë me Jakën kishin punuar në një periudhë mjaft të errët të vendit tonë, duke mos harruar të fliste me adhurimin më të madh për veprimtarinë e tij. ”Si gjeneratë na ka takuar që të jetojmë e të veprojmë në kohë mjaft të errëta për kombin tonë, prandaj politika ishte pjesë e pandashme e jetës dhe punës sonë. Edhe në këto rrethana, profesor Jaka, studiues i dalluar, shquhej për punë të vazhdueshme e shumë të guximshme në reagimet e duhura ndaj çdo situate apo provokimi që sillte politika e kohës”, potencoi ai.

Profesori i nderuar, kishte shumë miq e dashamirë, ndër ta edhe Giuseppe Chiaramonte, i cili nga Palermo kishte dërguar kumtesën që i dedikohej Ymer Jakës, kumtesë kjo të cilën do ta lexonte drejtori aktual i institutit Albanologjik, Hysen Matoshi.

Ymer Jaka ishte njëri nga intelektualët më të afirmuar shqiptar. Ai ishte profesor dhe studiues i mirënjohur si dhe përkthyes i afirmuar që prezantoi Skënderbeun para audiencës franceze, ai poashtu ishte edhe njëri prej shqipëruesve më të veçantë si dhe njëri prej veprimtarëve më të përkushtuar për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në ish Jugosllavi. Shumë artikuj e studime të Ymer Jakës, i gjejmë të botuara në revista e gazeta brena dhe jashtë vendit.

Me letrën që kishte ardhur nga Palermo u përmbyllë kjo tryezë shkencore e cila vuri edhe njëherë në pah veprimtarinë shumë të çmuar të profesorit Ymer Jaka. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme