U botua vëllimi “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit – 150 vjetori i lindjes”

10 Korrik, 2025 - 4:30 pm

U botua vëllimi “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit – 150 vjetori i lindjes”, që përfaqëson një kontribut të rëndësishëm shkencor e kulturor në nderim të figurës së jashtëzakonshme të Shtjefën Gjeçovit, në 150-vjetorin e lindjes së tij. Ky botim përmbledh kumtesat e mbajtura në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare, organizuar më 14 tetor 2024 nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, e cila kishte për qëllim të ndriçonte dhe rishikonte me qasje bashkëkohore veprimtarinë shumëdimensionale të këtij kolosi të kulturës shqiptare.

Në konferencë morën pjesë emra të njohur të botës akademike shqiptare akademikë, profesorë dhe studiues të njohur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, përfshirë: Sabri Hamiti, Mehmet Kraja, Gëzim Hoxha, Shaban Sinani, Vitor Demaj, Neritan Ceka, Nysret Krasniqi, Mark Marku, Kujtim Shala, Persida Asllani, Dhurata Shehri, Muhamet Hamiti, Gëzim Gurga, Agron M. Camaj, Arsim Bajrami, Arbnora Dushi, Edmond Malaj, Evalda Paci, Zana Hoxha, Kujtim Mani, Femi Cakolli, Tomi Treska dhe Lush Culaj. Këta studiues sollën qasje të ndryshme, duke trajtuar trashëgiminë krijuese, shkencore dhe kombëtare të Gjeçovit në një gamë të gjerë fushash.

Në 23 kumtesat e përfshira në këtë vëllim, gjejmë analiza të thelluara mbi:

Veprën fetare të Gjeçovit, kontributin e tij letrar dhe gjuhësor, punën e tij në etnografi dhe folkloristikë, përkushtimin në fushën e arkeologjisë dhe historisë, kontributin kombëtar dhe shpirtin atdhetar, ku vepra e tij shihet në funksion të ruajtjes së vetëdijes kombëtare në një kohë të rrezikshme për identitetin shqiptar.

Ky botim sjell edhe risi kërkimore, pasi përfshin hulumtime mbi dorëshkrime e dokumente, që hedhin dritë mbi dimensione të reja të figurës dhe veprimtarisë së Gjeçovit. Studiuesit zbulojnë aspekte të paeksploruara të jetës së tij intelektuale dhe ndikimin e gjerë që ai pati në formësimin e mendimit kulturor shqiptar.

Ky vëllim përbën një kontribut të çmuar për albanologjinë, duke dëshmuar rëndësinë që ka Gjeçovi në themelimin e një identiteti kulturor, juridik dhe gjuhësor kombëtar. Ai është një dëshmi se trashëgimia e tij mbetet e gjallë dhe thellësisht e rëndësishme për kuptimin e vetvetes si komb./ KultPlus.com

Të ngjajshme