U hap Panairi i Librit në Prishtinë, mbi 100 botues prezantojnë rreth dy mijë tituj të rinj

7 Qershor, 2022 - 5:16 pm

Panairi i librit në Prishtinë u rikthye pas dy vitesh mungesë. Me moton “Libri mbron mendjen” edicioni i 22-të i panairit mirëpret mbi 100 botues ndërsa do të shënohet edhe me aktivitete të shumta, shkruan KultPlus.

Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, në hapje të këtij panairi tha se ky edicion duhej të mbahej para dy vitesh por për shkak të pandemisë ishte shtyrë. Megjithatë, kujtoi se në ditët e vështira të COVID libri shoqëroi njerëzit dhe shërbente si një dritare për ta shijuar lirinë.

Ai ka shtuar se mbi 100 botues do të prezantojnë mijëra tituj të rinj, libra për çdo moshë, për çdo temë apo interes.

“Për gjashtë ditë, sa zgjatë panairi, Prishtina është kryeqendër mbarëkombëtare e librit shqip. Mbi 100 botues prezantojnë mijëra tituj të rinj të botuar në qarkun kohor mes panairit të vitit 2019 dhe këtij panairi të sivjetmë. Libri është mjet e medium përmes së cilës, mendjet e ndritura komunikojnë me secilin prej nesh. Përmes leximit, ne kuptojmë dhe ne mësojmë, andaj për gjatë këto ditë Pallati i Rinisë bëhet edhe pallati i dijes, sepse këtu grumbullohen të gjitha mendjet më të mëdha të botës”, thotë Zeneli.

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se kjo ngjarje tashmë e ka marrë epitetin të caktuar të ngjarjes të rëndësishme kulturore ku gjithë së bashku mblidhemi për ta kremtuar ditën e librit.

“Ne si Ministri e Kulturës jemi shumë të lumtur që jemi mbështetës të aktiviteteve të këtilla, megjithatë ne gjithë tashmë jemi të pajtimit që mbështetja për librin duhet të kalojë në një nivel tjetër dhe në këtë kuadër, ne po punojmë për një politikë të re të kulturës, për një reformë të re ligjore dhe institucionale ku bënë pjesë edhe veprimtaria botuese. Uroj që ta shijojmë këtë Panair”, thotë Çeku.

Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, tha se përgjatë viteve panairi i librit në Prishtinë ka qenë një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore.

“Jam shumë i lumtur që jam sot me ju në hapjen e Panairit të Librit në Prishtinë. Përgjatë viteve, Panairi i Librit në Prishtinë ka qenë një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore për të pasionuarit pas librit por edhe botuesit. Panairi për mua personalisht është më shumë se sa një ngjarje ku shitet libri dhe ku takohen autorët e publikuesit. Pra, është një ngjarje ku ndahen idetë e reja dhe ku shihet perspektiva e re. Unë kam pas fatin të rritem me libra e mes tyre, kam punuar edhe në Panair për arsye se e kam përkrah babin tim i cili ka qenë pjesë e Panaireve për një kohë të gjatë dhe tek libri kam gjetur magjinë e tij. Libri është një dritare e jashtëzakonshme që na jep mundësinë për të parë e kuptuar botën. Libri na jep mundësi të mendojmë dhe të hapim horizontin tonë”, thotë Zogaj.

Tutje, shkrimtari francez, Claude Arnaud është shprehur i lumtur që ndodhet në Panairin e Librit në Prishtinë.

“Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që ndodhem sot këtu mes botuesve, autorëve, përkthyesve dhe gazetarëve në hapjen e Panairit të 22-të të Librit në Prishtinë. Aktualisht në Francë shteti e ndihmon shumë botimin, tek ne ka më shumë shkrimtarë sesa lexues. Zhvillohen kushte të perfeksionimit të shkrimit, por unë besoj se do të ishte mirë të ofrohen kurse leximi, sepse leximi është gjithashtu një art i llojit të vet”, tha ai.

Ndërkaq, drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli ka thënë se ky Panair është një ngjarje tejet e rëndësishme ngase neve na lidh me prekjen e bukur të universit njerëzor.

“Rikthimi i Panairit të Librit pas gati dy vitesh mungesë është një ngjarje e rëndësishme që na lidh me prekjen më të bukur të universit njerëzor. E shkuara jonë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë është një pengesë e vazhdueshme me historinë. Sot, tre dekada nga rënia e komunizmit dhe gati 22 vite nga përfundimi i luftës në Kosovë, mund të shohim dritën që shoqëroi dy vendet tona drejt një çlirimi shpirtëror. Poetët dhe shkrimtarët ishin ata që na orientuan drejt këtij çlirimi”, thotë Bardhyli.

Gjithashtu, shkrimtari dhe poeti Agim Vinca përveçse e vlerësoi lartë këtë edicion të Panairit, ai edhe recitoi një poezi nga libri i tij i parë me poezi që mban emrin “Feniksi”.

“Pas një pauze të imponuar dy vjeçare, Prishtina po i hap sot përsëri dyert e Panairit, dyert e artit dhe të letërsisë, të dijes dhe të kulturës apo dyer që s’kanë mundur t’i mbyllin kurrë asnjë pandemi, asnjë pushtet dhe asnjë pushtues. Fjala shqipe është treguar më e fuqishme se pengesat me të cilat është ndeshur në shekuj, duke i mposhtur ato dhe duke ardhur edhe më e gjallë e më e bukur, sikurse edhe gjuha me të cilën shkruhet”, thotë Vinca.

Krejt në fund, ai interpretoi aq bukur poezinë e tij “E urrej heshtjen” nga libri i tij i parë me poezi “Feniksi”. Kështu, jehona e vargjeve i përcolli tutje të gjithë artdashësit që dalëngadalë po hynin në botën e librit, për t’u përhumbur pas tij me orë të tëra.

Panairi do të mbahet nga 7-12 qershor, në ambientet e Pallatit të Rinisë. Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40.000 vizitorë, ndërsa aty do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë. / KultPlus.com

Të ngjajshme