U mbajt Festivali i Poezisë ‘Guri i Plakës’, Shqipe Hasani merr vendin e parë

30 Korrik, 2017 - 5:00 pm

Edicioni filloi me ekspozitën retrospektive të piktorit Fatmir Caraku.

Në organizim të Asociacionit të Letrarëve dhe Artistëve ART CLUB ‘Rifat Kukaj’ në Drenas, u mbajt edicionin e II-të i manifestimit letrar Festivali i Poezisë ‘Guri i Plakës’ me mbështetje financiare të Ministrisë së Diasporës.

Edicioni filloi me ekspozitën retrospektive me piktura, peizazhe, portrete e grafika të piktorit Fatmir Caraku, në ambient të hapur pranë Gurit të Plakës. Për vlerat e kësaj ekspozite foli piktori Visar Sylaj.

Festivali vazhdoi me orën poetike “Guri i Plakës”, e cila kishte karakter garues, me ç’rast juria e festivalit në përbërje nga Adem Gashi, Nexhmije Kastrati dhe Xheladin Mjeku, ndanë tri çmime për krijimet më të mira: çmimi parë i takoi poetes Shqipe Hasani, çmimi dytë poetes Djella Çitaku dhe çmimi i tretë poetit Bedri Zyberaj.

Ndërkaq çmimi special për krijuesin e diasporës kësaj radhe iu nda Hysen Ibrahimit kryetar i shoqatës së shkrimtarëve shqiptarë në Suedi Papa Kelementi XI Albani, shkruan 21 media. Manifestimi u përmbyll me përurimin e librave “Thesari Kombëtar 7-8” dhe “Arsimi shqip në Suedi” botime të Shoqatës së shkrimtarëve shqiptarë në Suedi.

Manifestimin në emër të Ministrisë së Diasporës e përshëndeti Shani Hamitaga i cili vlerësoi lart organizimin e këtij festivali i cili është edhe urë lidhëse në mes krijuesve në mërgatë dhe krijuesve vendor./ KultPlus.com

Të ngjajshme