“U vonuan tre muaj për t’ia vënë emrin, por i mbeti emri Dështak”

10 Janar, 2021 - 3:57 pm

Fragment nga vepra “Dështaku” e Dritëro Agollit:

Ai lindi në fshatin Qershizë të krahinës së Devollit, në janar të 1922-së. Kur lindi, gjeti mbi tokë shumë dëborë. Prandaj iu bënë flokët të verdhë dhe sytë të kaltër. Gjeti mbi tokë shumë dëborë, tregonte e ëma, Fahrije Mara. Dhe lindi i vockël sa një lepur i egër, bile më i vockël se lepuri i egër. Lindi shtatëmuajsh, prandaj ata që vinin dhe e shikonin i thoshin “Dështak”. Pastaj, edhe se ia vunë emrin Xhelo, e thërrisnin “Dështak”. Por gjirin e nënës e thante. Pinte si shushunjë. Ngulej në sisën e saj dhe thithte gjersa të mos mbetej asnjë pikë. “Ky po më thith edhe ujërat e trupit”, thoshte Fahrija. Duke thithur sisën, rritej. Nga një lepur i egër, u bë qengj, bile derrkuc, se thithte gjithçka. Kur s’e kishte pranë gjirin e nënës, thithte çarçafin e jorganit, thithte gishtin e dorës, thithte gishtin e këmbës duke e ngritur dhe shpënë te goja, thithte çdo gjë që i shëmbëllente sisës. Shikonte pranë diçka të gjatë, fjala vjen, një kleçkë, një grykë shisheje, një bisht sqepari, një pykë, zvaritej, e merrte, e vinte në gojë dhe e thithte. Prandaj ia ngjitën edhe nofkën “thithak”.Por i mbeti emri “Dështak”, ndofta edhe nga një arsye tjetër. U vonuan tre muaj për t’ia vënë emrin. Ai që dinte të vinte emra, baba Ahmeti i teqesë së Kuçit të Devollit, kishte shkuar në Vjenë të Austrisë për t’u bërë operacion nga një gjendër në gushë. Gjyshi i “Dështakut”, plaku Nesim Mara, ishte myhyb bektashi dhe babai i teqesë duhej të ndodhej në krye të sofrës, që t’i vinte edhe emrin.Ashtu u bë. U kthye nga Vjena babai i teqesë dhe në fund të marsit, kur dëbora ende nuk kishte shkrirë e gjitha, në shtëpinë e Morave u therr dashi më i madh i kopesë, u tundën muret nga vala e ziafetit dhe në sofrën e gjerë sa një lëmë baba Ahmeti thirri tri herë: “Xheladin, Xheladin, Xheladin!” Ai, me mjekër të zezë e me sërëk jeshil, shpallte emrin e “Dështakut”, që shkurt tani i thonë Xhelo.“Dështaku”, kur u bë pesë vjet, mbante një manar të bardhë. Manarin e ushqente dhe ai e ndiqte hap pas hapi. Madje flinte edhe me të. Gjyshi i “Dështakut”, Nesim Mara, e kishte taksur manarin të bëhej kurban në teqenë e Kuçit para këmbëve të baba Ahmetit. Atëherë në vjeshtën e 1927-s gjyshi, gjyshja, i ati dhe e ëma e morën me vete Xhelon, që rrallë tani i thoshin “Dështak”, morën edhe manarin me brirë të kthyer tri herë, dashin e vërtetë, dhe shkuan në teqe. Atje gjyshi e shtriu dashin para këmbëve të baba Ahmeitt, që qëndronte në fund të shkallëve të teqesë, dhe ia vuri nën qafë thikën. Manari i bukur i drodhi disa herë këmbët mes gjakut dhe dha shpirt. Babai ngriti tre gishtërinjtë e tij lart mbi kokën me sërëk, vështroi qiellin dhe tha: “I madhi Haxhi Bektash Veliu, na prit se po vijmë me dashin më të madh që kam parë!”Atë natë teqeja ziente. Luanin valle dervishët, këndonte babai i teqesë, ia priste këngës gjyshi, mbanin iso gjysja, i ati i “Dështakut”, e ëma. Vetëm Xheloja qante. I vinte keq për manarin. Që atëherë i mori inat baballarët dhe dervishët e teqeve. U zemërua me ta dhe s’u pajtua kurrë./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme