‘U zgjova një mëngjes dhe e pashë veten në pasqyrë, e njoha nënën time’

28 Gusht, 2018 - 4:50 pm

Elena Ferrante.

Nëna ime ishte e bukur dhe e mençur, sikur të gjitha nënat, pra edhe e doja edhe e urreja. Nisja ta urreja dikur rreth moshës 10 vjeçare, ndoshta sepse më tmerronte ideja ta humbja, dhe vetë mendimi më fuste në një gjendje trishtimi. Kësisoj, u desh ta zvogëloja këtë grua në sytë e mi.
Ndonjëherë më dukej se ajo ishte e bukur dhe e mençur, në mënyrë që unë të isha një budallaqe e shëmtuar. Nuk mund të mendoja asgjë prej mendimeve të mia: i kisha veç mendimet e saja. Ndjehesha e shtypur, e torturuar nga mania e saj për rend, nga shija e saj e dalë kohe që e ngulfaste timen, nga idea e saj për të drejtën dhe padrejtësinë. Për një kohë të gjatë, e ndjeja se nëse do ndaloja së dashuri nënën time ishte e vetmja mënyrë të doja veten, ose ta kisha një vete që ta doja.

Një lidhje e fuqishme që nuk mund të prehet na mban të bashkuar për trupat e nënave tona; nuk ka mënyrë për tu larguar, ose së paku unë nuk e di atë mënyrë. Është e pamundur të kthehesh brenda trupit të saj, është e pamundur të kalosh afër saj pa e parë hijen e saj.

Dhe kështu nisa të ndërtoja trupa tjerë mes meje dhe nënës sime – trupa me të cilët do të mund të ofendohesha, të bëja dashuri, të grindesha – duke ndërtuar kështu një botë të huaj për të. Doja që ajo të ndihej keq kur ti shihte këto ndjenja: kjo ndodhi dhe ajo veç u largua në heshtje.
Përgjatë viteve, ajo u dorëzua. Ajo u bë më e vogël, e humbi bukurinë e saj, mençurinë që e karakterizonte, nuk e kishte më ndjenjën superiore ndaj gjithçkaje, fjalët e saj nuk e kishin më fuqinë.

Për një kohë, u ndjeva e lirë. E më pas njerëzit nisën me këto –“Ti po qesh si nëna jote, ti je kokëfortë si nëna jote, ti i ke duar si të nënës tënde’. Një mëngjes e shikova veten në pasqyre dhe e njoha atë: nëna ime ishte aty, në trupin tim. Dhe për befasi, nuk më pengonte: ngadalë e zbulova atë në gjestet e mia, në mënyrën si i kontrolloj ndjenjat, në zërin tim. Nëse ishte e pamundur të kthehesha në trupin e saj, dukej sikur ajo nuk e kishte lënë kurrë trupin tim, edhe kur unë luftoja ta nxirrja jashtë meje – edhe kur mendoja se isha e lirë prej saj.

Që atëherë, e kuptova se ta gjeta vetveten nënkuptonte ta gjeja atë, dhe duke e pranuar e dashuruar atë sikur kur isha fëmijë, më lehtëson shpirtin. Ndonjëherë pajtimi është e vetmja mënyrë e mirë për të harruar ato që kemi përjtuar. Dhe ndoshta është e vërtetë, por jo në marrëdhëniet tona me nënat. Unë u pajtova me nënën time kur këto përjetime i ndjeva si të miat, të nevojshme për zhvillimin tim dhe jetën time. Aq të nevojshme saqë sot ato duken si një trillim imi, një teprim me ngjyra.

Përktheu: A.Selmani

Të ngjajshme