Udhëzime për shtëpiakë

27 Mars, 2020 - 1:00 pm

Tregim nga Ibrahim Berisha

Gjysmë ore prita përpara derës. Pastaj zbrita shkallët dhe dola në oborr.

Merita çelësin ma hodhi nga dritarja. Prit, më tha ajo, provoje, nëse mund të hapet nga jashtë. E stresuar vazhdoi: Nga brenda nuk hapet.

Ajo lëvizte dhe shikonte e hutuar nga ballkoni. E, po nuk është e mundur çelësi, që është tamam i bagllëmës së vet, të mos rrotullohet, së paku aq sa ta hapë derën, mendova.

Prit, rri syçelë, se të humbë në atë barishtë atje poshtë, më tha.

Merita çelësin do ta hedh nga kati i pestë, por unë jam në një pozitë fare të palakmueshme pasi vendi ku duhet të pres, është i pjerrtë dhe i mbuluar me një barishtë të dendur, të egër. Ballkoni gjendet në pjesën e veriut dhe për oborrin mbrapa pallatit nuk kujdeset askush.

Sado nuk isha i sigurtë se çelsi nuk do të humbej në barë, dhe t’më duhej kohë për ta gjetur, i bindur thash: Mos më torturo, hidhe, këtu jam.

Atje je, por, mirë, tha.

Lëshoi atë copë të bardhë metali, mund të ishte mesing i përzier me ndonjë legurë, mund të ishte edhe nga material tjetër, por ai ra, ra ku unë nuk e saktësova mirë.

Shih në të majtë. Shih, edhe pak në të majtë.

Pastaj shih në të djathtë.

Në cilën rrënjë të barishtës, e pyeta lodhur e mërzitur.

Vështirë me gjetë, në barë, më tha fqinja Arta që shikonte nga ballkoni i katit të tretë.

Do ta gjej, i thash prerë.

Ndoshta, tha.

Preka thuaj çdo rrënjë bari me dorë pa më të voglin dyshim se do ta kem në dorë çelsin që më bëri fatkeq në këtë ditë me kaq vapë.

Më në fund, e gjete, tha gëzuar Merita nga ballkoni.

Sa mirë u bë, tha fqinja Arta, e cila nuk largohej nga ballkoni.

U nisa vrap për në banesë, arrita në katin e pestë, sa ktheva në anën e majtë, pashë numrin 24, saktësisht imja derë.

Provoj, por kot.

Del fqinji nga banesa afër dhe provon edhe ai, e ndihmon edhe gruaja e tij, por kot. Provo përsëri, e përsëri.

Ndodhin gjëra të tilla, tha fqinji, por është e pamundur të mos gjenden mënyrë për ta hapur derën.

I thotë gruas: Ne kemi një libër. Ma sjell guidën “Udhëzime për shtëpiakë”.

Pas pak, shfleton dhe saktësisht dëgjoj fjalët kur i lexon triumfueshëm: Kur s’ka tjetër zgjidhje: “…dera duhet të hapet me goditje të fortë”.

Kjo d.m.th. se dera duhet të thyhet, zonja Meritë, i thashë fqinjes, duke kërkuar që ta lexonte më me kujdes edhe një herë udhëzimin në rastet kur bllokohen bravat. Burri i saj mund ta kishte gabuar rekomandimin.

Dera duhet të hapet me goditje të fortë, shkruan, tha ajo.

Është e pamundur, thashë, nuk mund të godas derën time. Ajo do të thyhet. Kushton shumë.

Ndoshta nuk thyhet, por nëse do të hysh brenda, ne duhet t’u përmbahemi udhëzimeve, në fund, edhe duhet ta thyejmë, tha fqinji.

Je mjeshtër, e pyeta fqinjin.

Paj, nuk mbetem keq, përgjigji ai.

Gruaja e tij bërë me kokë, sikur tha, ashtu-ashtu.

Pasi pritëm edhe pesëmbëdhjetë minuta pa gjetur zgjidhjem ai ishte gati ta godiste bravën me lloz. Mu në këtë kohë, nga brenda dëgjoja zërin e gruas, por nuk ishte e qartë çfarë thoshte. Më bëhej se kërkontë ndihmë,

Kujdes, i thash. Ma thyen derën,

Mbyll sytë, më tha, fqinji.

Dëgjoj një krismë të fortë dhe një tjetër ende më të fortë që shpërndahet në tërë objektin.

Udhëzimi nuk jipte asnjë alterantivë, pyes frymëmbytur, kur shoh derën e çarë, me bravën e kacavarur dhe një vrimë afër saj çuditërisht të ngjashme me shputën e ariut.

Jo, përgjigji fqinja. Udhëzuesi nuk jipte ndonjë alternativë.

Fatkeqësi, ç’ më gjeti kështu, shfreva.

Ja çelësi, mbaje, por nuk të duhet asgjë, tha fqinja. Ky është i përfunduar. Dera tjetër do të ketë çelës të ri.

Gruaja qëndronte e pafrymë në korridorin e banesës: Hata, hata.

Mos, provova ta qetësoj.

E kisha gabuar çelësin, tha ajo.

Mbetëm pa derë, i thash, duke shikuar me urrejtje nga përballë kur po largoheshin fqinjët.

As nuk të falenderuan, sa mosmirënjohës, i tha gruaja burrit me zërin e ulët, kur ai po mbyllte derën e banesës së tij me dorën e djathtë, ndërsa në të majtën mbante guidën “Udhëzime për shtëpiakë”. / KultPlus.com

Të ngjajshme