Universiteti i Prishtinës krijon grup punues për të luftuar ngacmimet seksuale

4 Prill, 2018 - 5:04 pm

Pas rastit të fundit të raportuar për ngacmim seksual në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, menaxhmenti i UP-së sot ka konfirmuar se do të krijojë një grup punues për të luftuar këtë dukuri brenda universitetit.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se, “menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, ju informon se menjëherë pas raportimeve të para lidhur me dukurinë e ngacmimit seksual në UPHP, ne kemi ftuar stafin akademik nga programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore në UPHP, që të formojmë një grup punues për trajtimin e kësaj dukurie”, transmeton Koha.net.

Më tutje në komunikatë thuhet se grupi punues në ditët në vijim do të dalë me plane konkrete për hartimin e politikave dhe planit të veprimit në adresimin dhe trajtimin e dukurisë së ngacmimit seksual në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Po ashtu, në rendin e ditës të mbledhjes së Këshillit Drejtues të UPHP-së, paraparë për nesër në ora 15:00, pika 2 parasheh shqyrtimin e mekanizmave për adresimin dhe parandalimin e ngacmimeve seksuale. Pas mbledhjes, KD do të dalë me një komunikatë për media lidhur me këtë çështje. / KultPlus.com

Të ngjajshme