“URACult Literae” mblodhi rreth vetes shumë autorë shqiptarë

3 Korrik, 2018 - 11:00 pm

Me edicionin e dytë të mbrëmjes letrare “URACult Literae“, shoqata kulturore URACult nga Köln-i pasuroi edhe një herë kalendarin edhe ashtu të varfër të aktiviteteve kulturore shqiptare në Gjermani, përcjellë KultPlus.

Thirrjes për pjesëmarrje në këtë mbrëmje ju përgjigjen shumë autorë shqiptarë nga gjithë Gjermania. Me autoret Lindita Arapi dhe Anita Rafuna, URACult-i zgjodhi dy autore gjeneratash dhe zhanresh të ndryshme por edhe temash të ndryshme të veprave të tyre.

“Shkrimtarja e vitit 2011“ në Shqipëri Lindita Arapi, lexoi nga romani “Vajzat me çelës në qafë“. Në këtë roman autorja Arapi trajton një periudhë të errët të Shqipërisë, një periudhë për të cilën mungon ende gatishmëria për të hedhur dritë mbi të. Historia prekëse e protagonistes Lodja la një mbresë të thellë te dashamirët e fjalës së shkruar të mbledhur në këtë mbrëmje në Köln. Edhe historia personale për të cilën autorja foli në bisedën me moderatoren e mbrëmjes, ishte mbresëlënëse. Ishte një thirrje për të filluar përballjen me këtë fazë të errët e jo të pritet “një zgjidhje biologjike” (Lindita Arapi) e saj deri sa të vdesin të gjitha viktimat e diktaturës.

Emocional dhe rrëqethës ishte edhe paraqitja spontane e aktorit Kasem Hoxha. Ai recitoi poezinë “Vertikal” të Petrit Palushit për historinë e dhimbshme të poetit Havzi Nela. Edhe ky viktimë e diktaturës së tmerrshme komuniste.

Autorja e re Anita Rafuna kishte filluar qysh në moshën 16 vjeçare të shkruaj romanin e parë të saj. Leximi i saj nga vepra “Vrapuesja” e shkruar me shumë fantazi u prit shumë mirë nga publiku. Sidomos dy tekstet e saj në “poetry slam” me tema interesante u duartrokitën gjatë nga të pranishmit të cilët nuk kursyen me lëvdata dhe falënderime edhe për organizatorët të cilët edhe një herë ofruan një organizim kulturor të nivelit të lartë. / KultPlus.com

Të ngjajshme