“Urtia e Pafuqishme“, vepra më e re e Ibrahim Berishës

5 Qershor, 2018 - 11:00 pm

Sociologu Ibrahim Berisha publikoi librin më të ri me ese sociologjiko-kulturologjike, me titullin “Urtia e Pafuqishme”. Libri u botua nga Shtëpia Botuese “Artini” në Prishtinë, dhe ka 190 faqe. Është ndërtuar në katër kapituj, në të cilët shkruhet për shoqërinë e Kosovës mbas vitit 2000. Rishfaqje dhe shfaqje të temave socio-kulturore që tregojnë paradokse dhe funksione të konstrukteve inerte të legjitimuara si dinamike, të cilat jetojnë duke qëndruar ndërmjet pushteteve informale, më shumë se sa atyre formale.

Në fokus është vënë intelektuali që shpreh pjesën aktive të sistemit të deformuar formal-publik, duke qenë edhe vetë pjesë e korrupsionit etik në shërbim të politikës informale, por edhe duke shfrytëzuar aktivisht këtë deformim “demokratik”. Në këtë frymë, transformimi dhe tranzicioni shoqëror dhe politik, rikonfiguron profilin sistemor të të privilegjuarve adminsitratorë, të cilët bashkohen në aspiratën e fiseve politike me ato intelektuale për t’u fshehur pas turmës që është streha mbuluese e aksioneve dhe misioneve “të shenjta” . Natyrisht se konfliktet ndërmjet tradicionales joekfektive dhe modernes së paasimiluar, prodhojnë praktikat e formatizuara të totalitares në autoritare, duke treguar se urtia para pushteti dhe forcës është e pafuqishme, e parëndësishme dhe e pavlerë. Elitat dhe elitarët në ambient të tillë social-publik janë forcë e pushtet dhe jo urti e pushtetshme.

Autori në ese shkruan edhe për shoqërinë e adoptuar me komunikimet, në të cilat të pavërtetat jetojnë dhe konsumohen si të vërteta, janë të akomoduara dhe të konsoliduara tashmë si kiç-histori, që i shërbejnë kiç-realitet, gjithë kjo përmes momorizimit të të pandodhurave. Në gjithë këtë përballje dhe vlim social e kulturor, sipas Berishës, ka ngadhënjyer komunikimi ceremonial për të zënë jo pak hapësirat formale e të varfëra ekstremisht, që nga Parlementi dhe jo rrallë, deri te “konferencat shkencore”. Janë ngritur lista-agjenda temash të paqena agresive, konfliktuoze, që nga ajo kombi a feja, pa u thelluar në përmbajtjen dhe identifikimin e koncepteve dhe praktikave që prodhohen nga përdorimi i krizës për të nxitur dhe ushqyer kaosi identitar.

Janë këtu edhe esetë për mundjen e dialogut demokratik nga monologu autoritar, tabu-temat dhe konformizmi si kulturë dominuese e komunikimeve publike. Autori u referohet burimeve relevante shkencore kur trajton temat, madje nisur që nga filozofët antikë, siç është rasti me esetë Dituria sokratike dhe Katoni i Republikës Ireale.

Libri është një risi në fushën e esesë sociologjiko-kulturore dhe do të gjejë lexuesin e tij pse bënë fjalë pikërisht për këtë lexues të urtë e kërkues që aspiron të bëhet dominues në shoqërinë e të lirëve, e cila kalon nëpër proces sa dinamik, po aq edhe dramatik të strukturimeve sociale e kulturor./KultPlus.com

Të ngjajshme