Vajza nga Turqia që studioi Gjuhën dhe Letërsinë shqipe vjen në Prishtinë

18 Gusht, 2017 - 2:20 pm

Gjuhën shqipe nuk e mësojnë shumë njerëz në Turqi. Më shumë e preferojnë frëngjishten, gjermanisht dhe italishten. Por, Eylemi Eylem Sevilen Arslanboğan nuk do që të jetë e zakonshme, andaj ajo filloi ta studionte Gjuhën dhe Letërsinë shqipe, përcjellë KultPlus.

Në fillim s’kishte aq njohuri për të, por më pas e kuptoi që e ndiente të afërt këtë gjuhë. Prandaj ajo edhe erdhi në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare I cili këto ditë po mbahet në Prishtinë. Duke qenë e pranishme në këtë Seminar, ajo do të mësojë edhe më shumë për shqipen dhe Kosovën.

“Kosova qenka vërtetë vend i vogël, por se mbaka zemra të mëdha”, është shprehur Eylem për njerëzit që I ka takuar në Kosovë.

Kur të kthehet në Turqi ajo nuk do ta pikturojë ndonjë fytyrë, as ndonjë ndërtesë që do t’i ketë mbetur në kujtesë nga Prishtina. Ajo do ta pikturojë shpirtngrohtësinë e njerëzve që i takoi në kryeqytetin kosovar. Piktura nuk do të jetë shumëngjyrëshe si flokët e saj, do të jetë bardhë e zi. Eylemi pikturon veç në bardhë e zi. Miqtë e quajnë Rainbow (ylber). Mbase jo veç për flokët.

Kur doli në skenën e Talent X në Turqi, 4 vite më parë, ajo kishte pasur frikë se emocionet do t’ia rëndonin këmbët dhe nuk do ta linin të vallëzonte. Ishte veç 17 vjeçe atëherë. Nuk kishte pasur guxim t’i këqyrte qindra fytyrat përballë saj. Eylemi ia drejtoi sytë kafe errësirës sipër kokave të tyre dhe hodhi hapat nën tingujt e muzikës. Që kur kishte qenë shumë e vogël, prindërit e kishin nxitur të vallëzonte. Më pas asaj i pëlqeu dhe u bë valltare profesionale. Tash, përmes pikturës, vallëzimit dhe muzikës, Eylem e shfaqë më së miri brendësinë e vet.

“Diku sipër ylberit, qiejt janë të kaltër dhe ëndrrat që guxon t’i ëndërrosh, vërtetë realizohen.”, thuhet nën tingujt e këngës “Over the rainbow”, që luan këtë mesditë në vendin ku çdo mbrëmje Eylemi vallëzon, shkruan në faqen zyrtare të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. / KultPlus.com

Të ngjajshme